Jeta dhe veprimtaria atdhetare e Mejdi Rexhep Jahiut

27 dhjetor 2019 | 17:29

05.08.1961 – 24.12.2019

Mejdi Jahiu lindi më 5 gusht 1961, në fshatin Bukoc të Preshevës, në një familje të varfër por me vyrtyte dhe bujari shumë të larta. Babai i Mejdiut, Rexhepi, dhe nëna Hasibja, që rrjedhë nga një familje gjithashtu bujare e fshatit Malishevë të Gjilanit, së bashku kishin gjithsejtë tetë fëmijë: shtatë djemë dhe një vajzë. Mejdiu ishte fëmiu i fundit dhe djali më i vogël i tyre.

Gjendja e rëndë në Bukoc e kishte shtrënguar babain e Mejdiut, Rexhepin, për të kërkuar një vend më të përshtatshëm për jetesë ku do të plotësoheshin nevojat që të mbante familjen e tij. Në këto rrethana në vitet e 70-ta, shpërngulet në fshatin Bilaç të komunës së Bujanocit, me shpresë se aty do të vazhdonte të punonte punët e bujqësisë, por në rrethana më të lehta ngase fshati Bilaç ofronte infrastrukturë më të mirë dhe fusha më të gjëra për punimin e tokës. Gjithashtu ky fshat i vjetër dhe me një lavdi historike me shumë dyqane, pazar, me shkollën 8-vjeçare, ambulancën, ofiqarin, postën e tjerë, institucione këto që axhës Rexhep në njërën anë i dhanë mundësi për të vazduar punët e bujqësisë, e në anën tjetër, kushte më të mira për të përmbushur nevojat institucionale.

Tutje, Mejdiu do të vazhdoi arsimimin e tij fillor në gjuhën shqipe, pranë shkollës fillore në Bilaç. Ai ishte me fat ngase disa vite më parë përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve për të drejta dhe liri të barabarta me popujt tjerë, ishin kurorëzuar, edhe pse me shumë sakrificë, që mësimi në këtë shkollë të zhvillohej edhe në gjuhën shqipe. Ai ishte një djalë shumë i zgjuar, prandaj nuk e pati shumë të vështirë që të përshtatet në rrethana të reja, larg fshatit të tij të lindjes, dhe shumë shpejt filloi të dallohej nga nxënësit tjerë për rezultatet e arritura, si në mësime ashtu edhe në aktivitete tjera sportive. Madje, atij në Bilaç iu krijuan mundësit që të merret më me intensitet me futboll, por edhe me sporte të tjera luftarake.

Pas përfundimit të 8-vjeçares regjistrohet në gjimnazin «Sezai Surroi» në Bujanoc, ku do të kryente me sukses të lartë dy vitet e para të arsimit të mesëm të orientuar, siq quhej atëherë, për të vazhduar edhe dy vite tjera në Gjilan, në gjimnazin «Zenel Hajdini», në drejtimin e biologjisë.
Edhe në Gjilan, Mejdiu u shqua për nxënës shembullor dhe ishte shumë i dashur në rrethin e tij shoqëror.

Miqësi të veçantë kishte me bashkëfshatarin e tij Ejup Sadikun, me të cilin kishin ndërtuar një miqësi të mirë që në vitet e para në gjimnazin e Bujanocit për ta përforcuar këtë miqësi edhe më shumë më Gjilan, duke banuar edhe së bashku në konviktin e nxënësve dhe studentëve.

Përveç mësimeve që ndiqte në gjimnaz, ai me shokun e tij ishin shumë të pasionuar pas artit luftarak të cilin e zotëronin në nivel mjaftë të lartë, dhe, prandaj, ishin shembuj suksesi dhe vendosmërie.
Krahas pasionit për sportin, Mejdiu kishte edhe talent për muzikë. Qifelia e tij që e adhuronte shumë, krijonte një ambient shumë muzikal në parkun pranë konviktit ku mblidheshin të rinjët dhe këndonin këngët më të preferuara të tyre.

Në Gjilan, Mejdiu me shokun e tij Ejupin, përveç që kishin zgjeruar rrethin shoqëror ata po bashkëpunonin me bashkëmoshatarët e tyre për nivele më të larta të vetëdijës politike kombëtare. Ata ishin shumë aktiv në biseda dhe shquheshin për mbrehtësi mendimi, por edhe vendosmërie në mbrojtje të drejtave të mohuara të shqiptarëve nga pushteti i atëhershëm jugoslav. Ishin rrethana kur në Kosovë e viset e saja kishte filluar të organizohej rezistenca studentore, sidomos në Prishtinë e qytete të tjera, rezistencë e cila domosdoshmërisht do të kishte ndikimin e vet edhe tek Mejdiu me shokë.

Ndikim të veçantë tek Mejdiu dhe Ejupi kishte xhaxhai i Ejupit, Xhevat Ajvazi, i cili vepronte intensivisht në ngritjen e vetëdijes politike kombëtare, tek të rrinjët, për t`I kalitur ata në rrugën e më pastajme organizative.

Me përfundimin e gjimnazit, Mejdiu me shokun e tij kishin vendosur të shkojnë në të njejtën kohë në shërbim ushtarak, për t’u kthyer pastaj si student: Mejdiu në Prizren, ndërsa Ejupi në Prishtinë. Edhe gjatë kohës sa ishin në shërbimin ushtarak ata nuk kishin shkëputur lidhjet e tyre por mbanin kontakte të vazdueshme, atëherë përmes letrave që i shkruanin njëri tjetrit.

Në vitin 1983, Mejdiu regjistrohet në Shkollën e Lartë në Prizren – drejtimi Fizikë –Matematikë, dhe dallohej për talentin e tij në shkencat natyrore. Edhe pse i pasionuar pas studimeve, ai kishte vështirësi financiare edhe përkundër asaj se vëllezërit e tij, Fehmiu dhe Shabiu e mbështesnin financiarisht, mirëpo gjendja ekonomike në familjen e Mejdiut, respektivisht axhës Rexhep, ishte rënduar, ngase tanimë ishin shumë anëtarë dhe nuk arrinin të përmbushnin nevojat jetësore dhe arsimore. Në të njëjtën kohë edhe vëllau i Mejdiut, Shaqiri, ishte duke i vijuar studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan.

Në Prizren Mejdiu njohu Raxhibe Hoxhën e cila ishte gjithashtu studente pranë të njejtës shkollë. Mejdiu dhe Raxhibja i mbetën besnik njeri tjetrit, më vonë u martuan dhe krijuan familje së bashku duke qenë të lumtur tërë jetën. Mejdiu me Raxhibën kanë dy djem: Liridonin dhe Egzonin si dhe vajzën Jehonën. Ata bashkë me përkushtim prindëror, I edukuan fëmijët e tyre me një frymë të lartë atdhetare.

Pas përfundimit të shkollimit të Lartë, Mejdiu në vitin 1986 vendosi të shkojë në Zvicër tek vëllezërit e tij për të punuar si student në ralizimin e kushteve më të mira jetësore, për vete dhe familjen e tij që e kishin përkrahur në vazhdimësi. Mejdiu u vendos në Zvicër, përafërsisht në të njejtën kohë, si në sinkron me shokun e tij, për të gërshetuar së bashku aktivitetin e tyre pranë Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Aty do të njoftohet me shokët e idealit: Ajtene Hasani- Xhemajlin, Agush Bujën, Shefqet Hasanin, e më vonë edhe me Isuf Sherifin, Shukri Bujën, Gani Shalën, Halit Sylejmani (tani i ndjerë), Fehim Qekun e të tjerë.

Pjesëmarrja e vazhdueshme në tubime dhe demonstrata i kishin aktivizuar këta të rinj dhe rrjedhimisht do të jenë edhe bashkthemeluesit e Këshillit Popullor të LPRK-së, organizatë kjo patriotike e revolucionare që kishte marrë mbi supet e saja fatet e shqiptarëve të Kosovës dhe viset e saja në Jugosllavinë e atëhershme, në organizimin e bashkatdhetarëve në Zvicër, Gjermani, Austri e tjerë, drejt çlirimit kombëtar.

Mejdiu kishte veti shumë të veçanta, me një karakter shumë të fortë, ishte i vendosur dhe i përkushtuar në kauzën kombëtare. Ai me shokë shumë shpejtë do të bëhet ndër shtyllat kryesore të organizimit patriotik në vitet e themelimit të UÇK-së, luftës së lavdishme të saj dhe nuk pushuan së vepruari, përkundër sfidave që i patën duke kontribuar, si financiarisht ashtu edhe organizativisht në vetëdijesimin e bashkatdhetarëve për të ngjeshur radhët e tyre sepse tanimë, lufta çlirimtare kishte filluar.

Kjo ushtri dhe kjo luftë kishin nevojë për veprimtarë të guximshëm dhe organizator të denjë si në planin e grumbullimit të mjeteve financiare por edhe në veprimtari të tjera sfiduese, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke kryer detyra të veçanta. Mejdiu me shokë si anëtarë të LPRK-së – më vonë LPK-së kontribuuan fuqishëm në fondin e UÇK-së «Vendlindja Thërret», të UÇPMB-së «Zëri i Atdheut» dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare «Liria Kombëtare».

Veprimtaria e Mejdiut me shokë është shumë dimensionale. Një kontribut të veçantë e dha edhe sa ishte në kryesi por edhe si drejtues për një mandat të tërë në Shoqatën Kulturore Shqiptare «Xhevat Ajvazi» në Widnau. Përmes kësaj shoqate, ndihmat dhe kontributi i bashkatdhetarëve para dhe gjatë luftës ishte i një rëndësie të veçantë.

Mejdiu si verprimtar i devotshëm në kuadër të organizatës ishte i ngarkuar me disa funksione organizative. Ai një kohë ishte edhe sekretar i Këshillit të Rethit të LPRK-së – LPK-së dhe delegat i Mbledhjës së III-të të Përgjithshme Dega jashtë vendit, si dhe shumë detyra të tjera të rëndësive të veçanta.

Pas çlirimit të Kosovës, mos jetësimi I plotë i Programit të LPK-së, që kishte për qëllim çlirimin dhe bashkimin e të gjitha viseve shqiptare, Mejdiun e kishte prekur thellë. Por ai kurrnjëherë nuk e humbi besimin se edhe vendlindja e tij Presheva, Bujanoci e Medvegja do të vijë dita kur do ti bashkohen tërësisë territoriale të Kosovës, siç ishte betuar edhe ai kur u organizua në vitin 1987.

Në prill të vitit 2019, Mejdiu kishte ankesat e para shëndetësore të cilat do të ishin fatale për te, familjen dhe shokët, ngase sëmundja që kishte filluar nuk premtonte shërim edhe përkundër trajtimit mjekësor në Zvicër. Në muajin dhjetor 2019 shtrohet në spitalin e St. Gallenit, por gjendja shëndetësore po i përkeqësohej edhe më shumë!

Pavarësisht kësaj sfide jetësore, Mejdiu nuk u ligështua asnjëherë, por, përkundrazi, qëndroi dinjitoz e i pa epur përballë sëmundjes së rëndë dhe e sfidoi atë moralisht. Vizitat e shokëve në spital Mejdiut i jepnin kurajo, forcë e besim se e ardhmja e kombit shqiptar që e deshti aq shumë do të jetë më e ndritur për brezat që do të vinë, pasi garancë për këtë të ardhme është jeta dhe kontributi i tij dhe i të gjithë atyre që punuan dhe sakrifikuan për atdhe.

Më 24 dhjetor 2019 në Zvicër pushoi së rrahuri zemra e madhe e veprimtarit të devotshëm Mejdi Jahiu. Amaneti i tij ishte të varrosej në tokën e atdheut të tij që e deshti aq shumë…!

Lavdi jetës dhe veprimtarisë patriotike të Mejdi Jahiut.

U prehtë në paqe në tokën e Kosovës!

 

Shoqëria «Lëvizja»
Ejup Sadiku
Zvicër, 27 dhjetor 2019

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa lëvizje të shpeshtuara kohëve të fundit të shtetasve rusë…