Jeta e çuditshme e shkrimtarit më famëkeq të Japonisë

26 nëntor 2020 | 09:11

Jeta dhe vdekja teatrale 50 vjet më parë e një prej autorëve më të njohur dhe më kontrovers të Japonisë, ka krijuar një mit, shkruan Thomas Graham. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi sjell më poshtë.

Teksa rrinte në ballkon, si në një skenë, i bënte apel ushtrisë së mbledhur poshtë tij. Është Yukio Mishima; emri i vërtetë i tij është Kimitake Hiraoka. Ishte romancieri më i famshëm i Japonisë kur, më 25 nëntor 1970, shkoi në një bazë ushtrie në Tokio, e rrëmbeu komandantin, e detyroi atë të mblidhte garnizonin dhe më pas u përpoq të nxiste një grusht shteti. E sulmoi shtetin dhe rendin kushtetues të mbështetur nga ShBA-ja, i shau ushtarët për nënshtrimin e tyre dhe i sfidoi ata që ta kthenin perandorin në pozicionin e tij të para luftës – si zot i gjallë dhe si udhëheqës kombëtar. Publiku, në fillim i qetë ose thjesht i shtangur, nuk iu bind. Mishima bëri një hap dhe tha: “Nuk mendoj se më dëgjuan.” Pastaj u gjunjëzua dhe vrau veten me harakiri. Vdekja e tij e tronditi publikun japonez. Ishte një njeri i famshëm i letrave, një personazh maço dhe provokativ, por edhe qesharak, ndoshta i ngjashëm me Norman Mailerin në SHBA ose me Michel Houellebecqun në Francën e sotme. Kjo ngjarje ndodhi në mëngjesin e hapjes së sesionit të 64-të të Parlamenti të Japonisë, ku perandori ishte i pranishëm. Fjalimi i kryeministrit për agjendën e qeverisë për vitin e ardhshëm, kaloi disi në hije. Sepse, askush nuk kishte vdekur nga harakiri – që nga ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

“Disa menduan se ishte çmendur, të tjerët se ky ishte akti i fundit në një seri veprimesh ekzibicioniste, një shprehje e dëshirës për të tronditur – për çka ishte bërë i njohur”, shkroi filozofi japonez Hide Ishiguro, në një ese të vitit 1975 për “The New York Review”. “Disa njerëz të së djathtës politike e panë vdekjen e tij si gjest patriotik, të protestës kundër Japonisë së sotme. Të tjerët besuan se ishte një farsë e dëshpëruar, e tmerrshme, e sajuar nga një njeri i talentuar i cili si një lazdran nuk mund të duronte të jetonte në moshën e mesme dhe në mediokritet.” Në anën tjetër, Mishima një herë i tha gruas se “edhe nëse nuk kuptohem menjëherë, s’ka problem, sepse do të kuptohem nga Japonia e 50 ose 100 vjetëve tjerë”.

Më 1949 Mishima hyri në skenën letrare të Japonisë me “Rrëfimet e një maske” – një lloj autobiografie e kamufluar si roman, që e bëri të famshëm në fillim të të njëzetave të tij. Vepra flet për historinë e një djali delikat, të ndjeshëm, i cili mbahet peng nga gjyshja e tij. Ajo është e sëmurë dhe ai e ushqente. Në vend që të luante jashtë me djemtë tjerë, rri i mbyllur me të, për vite me radhë, në errësirën me erë sëmundje të dhomës së saj të gjumit. Mendja e djalit zhvillohet në atë dhomë. Fantazia dhe realiteti nuk janë kurrë të ndarë; fantazia, binjaku më i fortë, bëhet dominues. Në kohën ku gjyshja vdes, djali e ka zhvilluar një fiksim për lojën me role, për jetën si teatër. Nuk mund t’u rezistonte fantazive. “Maskarada kishte filluar”.

“Rrëfimet e një maske” vazhdon deri në fund të adoleshencës së djalit, duke detajuar evolucionin e jetës së tij të brendshme dhe të jashtme me zgjimin homoseksual. Në shumë aspekte, ky është çelësi për të kuptuar jetën dhe veprat e mëvonshme të Mishimas. Ai ishte i fiksuar me idenë se bukuria është më e bukur kur është kalimtare – dhe mbi të gjitha në kulmin e shkatërrimit. Vepra  sugjeron gjithashtu bashkëveprimin midis performancës dhe realitetit, që karakterizonte gjithçka që Mishima bëri dhe shkroi. Ai e linte përshtypjen e autorit të mbyllur në një luftë të errët me veten e tij, teksa gjithashtu linte dyshime se ishte një mjeshtër i medias dhe publicitetit. Formula pati sukses. Ajo e bëri Mishiman një lazdran të letërsisë japoneze të pasluftës dhe ia siguroi shumë lexues. Megjithëse dekadent, ishte shkrimtar i disiplinuar dhe frytdhënës. E futi veten në shoqërinë e lartë të Tokios dhe ishte mik i zyrave dhe korrespondentëve të huaj, për të bërë atë që mundte për ta zgjeruar famën e tij përtej Paqësorit. “Nëse Akio Morita nga Sony ishte japonezi më i famshëm jashtë vendit”, shkroi John Nathan, më vonë biograf i Mishimas, “Mishima ishte i dyti”.

Romanet e Mishimas gjatë viteve 1950 i kishin po ashtu ngjyrimet autobiografike, si te “Rrëfimet e një maske”. Por, pastaj diçka ndryshoi. Në vitet 1960 mund të thuhet se fillon faza politike e jetës së tij. Duke e portretizuar veten si një estet të pastër, një romantik dekadent, në 10 vjetët e fundit të jetës së tij pësoi një transformim. Nisi të merret me trupin, duke shkuar në palestër për dy orë në ditë për të shtuar muskuj në trupin e tij të dobët e të shkurtë. Pas këtij transformimi ishte arsyetim i cili në një mënyrë shprehet tek “Arti, veprimi dhe vdekja rituale”, një ese enigmatik i publikuar më 1968, dy vjet para vdekjes së tij. Ai ishte dobësuar nga teprica fantazive dhe e fjalëve dhe nga pakica e materiales dhe veprimit. “Në një person mesatar, unë imagjinoj, trupi i paraprin gjuhës”, shkruante Mishima. “Në rastin tim, fjalët erdhën të parat e pastaj… erdhi mishi”. Ai donte të shihej si “njeri i veprimit”.

Mishima ishte në të dyzetat dhe i vetëdijshëm për moshën. “E bukura duhet të vdesë e re dhe gjithçka tjetër duhet të jetojë sa më gjatë të jetë e mundur”, shkroi ai, në një pjesë për vdekjen e hershme të aktorit James Dean. “Për fat të keq, 95 për qind e njerëzve e marrin mbrapsht, me njerëz të mrekullueshëm që rezistojnë deri në të tetëdhjetat e tyre dhe budallenjtë e tmerrshëm që bien të vdekur në moshën 21 vjeçe.” Mishima ndjeu se momenti i tij po vinte dhe nisi të komplotonte aktin e fundit.

Të gjithë, në një moment, e shohin jetën si një skenë. Por, pak njerëz jetojnë dhe e bëjnë koreografinë e jetës së tyre si teatër dhe shumë më pak e përdorin harakirin për ta mbyllur shfaqjen. Sidoqoftë, për Mishiman ishte kulmi i një fantazie të përjetshme. Elementet ishin atje, që te “Rrëfimet e një maske”: ushtarë, vdekje dhe gjak. I shndërruari në luftëtar, e bëri veten objekt të dëshirës së tij: diçka të bukur, diçka që ia vlen të shkatërrohet. Fiksimi nga harakiri ishte rritur. Mishima madje e shkroi skenarin dhe luajti në një film të shkurtër, “Patriotizmi”, ku e interpretoi këtë në detaje. Ndoshta edhe akti i fundit ishte protestë politike – por sigurisht që ishte vdekja si art.

Në mëngjesin e ditës së tij të fundit, Mishima e dërgoi te botuesi librin e fundit të tetralogjisë së tij, “Deti i fertilitetit”. Këta katër libra, të shkruar në një shpërthim të furishëm krijimtarie, ishin diçka e re. Duke filluar në 1912, menjëherë pas Luftës Ruso-Japoneze dhe duke përfunduar më 1975, përfshijnë një periudhë ndryshimesh të jashtëzakonshme: nga ngritja e Japonisë Perandorake, deri te asgjësimi i Luftës së Dytë Botërore dhe shfaqja e Japonisë kapitaliste dhe konsumeriste. Ato mbahen së bashku nga personazhi Honda, që është rimishërimi i mikut të tij të fëmijërisë – një shpirt i rrethuar nga ndryshimi dhe rënia.

Mishima e shkroi pjesën më të madhe të vëllimit përfundimtar, “Rënia e engjëllit”, gjatë një feste familjare në bregdet, në gusht të vitit 1970. Në një letër të datës 18 nëntor 1970, për mentorin e tij Fumio Kiyomizu, ai ka shkruar: “Për mua, përfundimi i këtij libri nuk është asgjë më shumë se fundi i botës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
GENTIAN DODI   DOGJA KËNGËN   Askujt nuk i tregova…