Jo zgjedhje me analfabetë funksionalë, zgjohuni për Kosovën!

05 gusht 2019 | 16:15

Astrit GASHI

Premtime marramendëse, fjalime boshe, shpenzime koti e çka jo tjetër do të dëgjojmë përditë këto ditë vere në disa medie tona të cilat janë rreshtuar në krah me këta analfabetë funksionalë të cilave nuk u dihet burimi se nga paguhen për këtë servilizëm ndaj padronëve të tyre të cilët vetëm për Kosovën nuk punojnë!
Në anën tjetër, njerëz që zihen për padronët e tyre, se kush e cili do të triumfoj në këto zgjedhje të cilat nuk dihet të kujt janë!?
Dikush do të thoshte, shumë mirë kjo është shenjë e qytetarisë aktive në Kosovë. Për mua, kjo është krejt diçka tjetër.
Në mungesë të mundësive për të gjetur një vend pune, që vjen si pasojë e nepotizmit, korrupsionit e pazarllëqeve tjera të të ashtuquajturve politikёbёrёs, këta të rinj detyrohen të rreshtohen pranë ‘padronëve’ të tyre.

Është dëshpëruese t’i shohësh, të sapo dalë nga fakultetet, në vend se të orientohen për të punuar dhe specializuar në fushat e tyre, me çka do t’i kontribuonin vetes së tyre dhe mbarë vendit, këta të rinj vendosin të rreshtohen krah përkrah me ‘padronët’ e ardhmërisë së tyre. Është e dhimbshme, sepse vetëm po t’u shohësh postimet e tyre në platformat sociale, të mbushura me gabime gjuhësore dhe të paformuluara, kuptohet se në çfarë ‘derexhe’ i ka sjellë sistemi edukativo-arsimor në Kosovë, i cili është nën patronatin e mu këtyre ‘padronëve’ të cilët i kanë nga pesë gjashtë diploma ani pse nuk dinë shkrim lexim!
Është për të ardhur keq, se si pranojnë të rreshtohen krah për krah atyre që i sollën në këtë gjendje sa të mos dinë se ku duhet të rreshtohen! Është jo vetëm e dhimbshme, por dhe e dëmshme për ardhmërinë e tyre e mbi të gjitha të vendit,kur i sheh tek pozojnë pranë me ato buzëqeshjet cinike pranë këtyre njerëzve të cilët për një votë japin gjithçka është e mundur vetëm e vetëm që të jenë në pushtet për të vjedhur ketë shtet i cili asnjëherë nuk u ngrit në këmbe nga armiku i brendshëm i cili na ka dërguar buze humnerës.

Është tragjike, t’i shohësh këta të rinj gjersa i dorëzojnë ‘dëshirat, ambiciet dhe energjinë’ e tyre nën patronatin e atyre që deri më tani iu mbytën dëshirat, iu mbyllën rrugët, dhe po iu mbysin motivin për t’u zhvilluar e jetuar si ‘njeri’. Mbi të gjitha i bënë ‘analfabetë funksionalë’, ndryshe s’kam si e shpjegoj vendimin e tyre për t’u rreshtuar me ata që gjysmën e fushatës duhet ta kalojnë në gjykatë e pjesën tjetër të çirren si të marrë për të mbledhur votat në emër të patriotizmit e të gjitha bizneset e tyre të dërgojnë në veri të vendit.
Votimi është shumë i rëndësishëm për të ardhmen tënde, por dhe timen. Por, përmbi votimin më e rëndësishmja është të dish të zgjedhësh ‘padronin’ tënd! Për të zgjedhur duhet të jesh i përgatitur, i mirinformuar e mbi të gjitha i ditur. Dituria është fuqi, dhe nëse nuk mëson se si ta përdorësh ‘zërin tënd’ kur vjen momenti për të vendosur, atëherë zëri yt nuk do të dëgjohet. Këto grupe klanore në të gjitha partitë politike kanë interesin e vetëm se si për të ardhur në pushtet dhe jo se si për të ndërtuar një jetë më të mirë për qytetarët.
Sot disa komandantë të cilët nuk morën pjesë në asnjë betejë po mendojnë të formojnë dinasti në rrethet e tyre, ndërsa disa të tjerë po mendojnë se mund të fitojnë vota edhe me persona të cilët me vite kanë ikur nga kjo botë.

Disa bashkëpunëtorë të regjimit sot po mendojnë se populli i ka harruar shërbimet e tyre për pushtuesit. Sot populli është bind se ju jeni me popullin vetëm atëherë kur ju duhet vota e tij.
Presidenti amerikan Theodor Roosvelt e ka shpjeguar shumë mirë rëndësinë e votës “Vota është si pushka, dobia e saj varet nga karakteri i përdoruesit”. Nëse sot e ke shitur votën tënde për këta “analfabetë funksionalë” ti nesër e shtet kombin.. andaj sot duhet me vendos – t’i themi jo territ, jo diplomave të natës, jo okupimit vendor e ndërkombëtar të zgjohemi nga gjumi të vendosim vet për lagjen tonë për rrethin tonë dhe për vendin tonë. Jo zgjedhje pa reforma por qeveri teknike! Këtë që kjo klase politike i ka bërë Kosovës nuk munden t’i bëjnë as pushtuesit me shekuj!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Florent Muslija bëhet me pasaportë të Kosovës, i gatshëm për…