Jona Beqiri: Synoj suksese në Kampionatin Evropian dhe Botëror, pse jo në Olimpiadë

29 nëntor 2022 | 16:26

Jona Beqiri është një prej sportisteve më të mira në Kosovë. Jona merret me sportin e notit që nga mosha nëntëvjeçare dhe deri tash ka arritur shumë suksese në rrafshin vendor dhe në atë ndërkombëtar, duke fituar mbi 200 medalje dhe shumë diploma, kurse synimet për të ardhmen i ka edhe më të mëdha. “Si çdo sportist që synon më të mirën për veten e tij, edhe unë synoj që në të ardhmen ta fitoj ndonjë garë në Kampionatin Evropian apo Botëror, pse jo edhe atë në Lojërat Olimpike”, ka thënë Beqiri në intervistë për “Epokën e re”.

“Epoka e re”: Jona, në cilën moshë keni filluar të merreni me sportin e notit?
Beqiri: Me sportin e notit kam filluar të merrem nga mosha nëntëvjeçare. Në fillim ia kam nisur vetëm për relaksim, “hobi”, sa për ta kaluar kohën e lirë. Kjo ishte edhe dëshira e prindërve të mi që të merrem not. Pas disa muajve me ushtrime, ky sport filloi të më hyjë në zemër.

“Epoka e re”: Noti nuk është ndër sportet elitare në vendin tonë, por nga ju lindi dashuria për notin?
Beqiri: Dashuria për notin më ka lindur shumë spontanisht. Nuk kam menduar asnjëherë që do të bëhem notare apo do të merrem me këtë sport. Në fillim, ushtrimet e notit nuk më dukeshin me interes, por me kalimin e kohës më është dhënë mundësia për ta shprehur talentin tim falë angazhimit të pakursyer të trajnerëve të mi në klubin e notit “Step” në Prishtinë, të cilët e kanë vrenjtur talentin tim dhe i falënderoj përzemërsisht për punën dhe angazhimin e tyre të pakursyer. Posaçërisht e falënderoj trajnerin tim Besart Shala që m’i mësoi hapat e parë të notit. Me sportin e notit, menjëherë pas katër muajve ushtrime, fillova t’i shoh ndryshimet e mia pozitive në zhvillimin e trupit tim, por edhe në relaksimin tim shpirtëror. Asnjëherë nuk e kam pasur në mendje që të marr pjesë në gara, por mendimi im ndryshoi shumë shpejt, vendosa të jam edhe unë pjesë e konkurrencës. Më pastaj plani dhe ambiciet e mia për këtë sport u rritën, duke ushtruar në mënyrë më rigoroze. Viti 2015 ishte shumë i begatshëm për mua, sepse unë fillova me not, por edhe mora pjesë në një garë në Prishtinë, e cila ishte organizuar nga Federata e Notit të Kosovës dhe në atë garë e kam fituar medaljen time të parë nga bronzi.

“Epoka e re”: E përmendët që jeni pjesë e Klubit të Notit “Step” në Prishtinë. Që sa kohë jeni pjesë e këtij klubi dhe cilat janë kushtet që ofron klubi për këtë sport?
Beqiri: Unë jam pjesë e Klubit të Notit “Step” në Prishtinë. Aty fillova hapat e parë, në moshën nëntë vjeçe dhe vazhdoj ende me këtë sport. Pra, tani po bëhen shtatë vjet që ushtroj dhe nuk kam pasur asnjë mungesë në klub.

 “Epoka e re”: Cilat janë sukseset më të mëdha të arritura deri tash?
Beqiri: Sukseset e mia me këtë sport janë të shumta, por do t’i veçoja disa: pjesëmarrja në garat e Kampionatit Evropian, të mbajtura në vitin 2021, në Budapest të Hungarisë. Në këto gara unë isha përfaqësuese e reprezentacionit të Kosovës në garat për të rritur (senior). Gara tjetër ishte në Romë të Italisë. Aty u mbajt Kampionati Evropian për të Rinj (Juniorë). Këto dy pjesëmarrje të cilat i përmenda më sipër kanë qenë të një konkurrence të fortë dhe shumë sfiduesese për mua, sepse këtu ka pasur sportiste të nivelit botëror dhe për mua ishte hera e parë. Ndërsa në garat vendore dhe rajonale isha pjesëmarrëse në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Bullgari. Nga këto vende kam arritur të fitoj me dhjetëra medalje të arta nga të gjitha disiplinat e notit. Kam fituar shtatë kupa. Tri prej kupave janë të nivelit absolut. Në dhomën time kam mbi 200 medalje dhe shumë diploma nga rezultatet e mia. Tri herë kam qenë fituese multimedaliste e turneve të ndryshëm. Pjesë e sukseseve të mia që lexuesit kanë dëshirë t’i lexojnë në këtë vit (2022) janë: arritja dhe mbajtja e katër rekordeve në Republikën e Kosovës në katër disiplinat e notit të cekura më poshtë:

-200 m shpinë – 02:19:41

-100 m Mix – 01:07:77

-200 m Mix – 02:26:17

-400 m Mix – 05: 23:79

Në garat e mbajtura gjatë këtij vikendi në turneun “Kosovo Cup”, të organizuar nga Klubi i Notit “Step” në Prishtinë, kam arritur ta fitoj kupën përsëri.

 “Epoka e re”: Sukseset e gjertanishme në karrierën tuaj nuk janë të vogla. Sigurisht që synoni t’i vazhdoni këto suksese edhe në të ardhmen, por cila është ëndrra juaj më e madhe në karrierë?
Beqiri: Si çdo sportist që synon më të mirën për veten e tij, edhe unë synoj që në të ardhmen ta fitoj ndonjë garë në Kampionatin Evropian apo Botëror, pse jo edhe atë në Lojërat Olimpike.

 

 

 

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj, ka parë nga afër ekspozitën…