Josephi për targat: Nëse Kurti s’tërhiqet, Vuçiqi e ka gati konfrontimin në veri me sulme ndaj policisë

28 tetor 2022 | 14:55

Ndalimi i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi të enjten në Serbi ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe të njohësve të çështjeve politike brenda e jashtë vendit.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Edward Joseph, i ka kushtuar një shkrim në “Twitter” kësaj ngjarje duke thënë se Aleksandër Vuçiqi e ka poshtëruar qëllimisht zëvendëskryeministrin Bislimi dhe ka krijuar një skenar “pa humbje” në çështjen e targave.

“Duke poshtëruar qëllimisht zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi – duke e joshur atë brenda një ore nga Beogradi (dhe paraqitja e tij në Konferencën e Sigurisë) përpara se ta kthejë atë – Vuçiq ka krijuar një skenar pa humbje në problemin e targave”, ka shkruar Josephi.

Më tutje, ai është shprehur se nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tërhiqet tani nga çështja e targave, ai po i nënshtrohet poshtërimit të Beogradit dhe jo apelit të ShBA-së dhe vendeve të Quint-it.

Në skenarin tjetër, sipas Josephit, se nëse Kurti nuk tërhiqet nga çështja e targave, Vuçiqi ka gati krizën dhe konfrontimin në veri dhe kjo është ajo që duan rusët.

“Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tërhiqet tani, ai po i nënshtrohet poshtërimit të Beogradit, jo apelit të SHBA-ve dhe vendeve të tjera të Quint-it. Nëse Albin Kurti nuk tërhiqet, Aleksandër Vuçiq ka krizën dhe konfrontimin në veri që ai dhe rusët duan: sulme të hapura ndaj policisë së Kosovës, me trupat e NATO-KFOR të tërhequr në mes”, ka shkruar Josephi.

Josephi nuk ndalet me kaq, ku është shprehur se tani jo vetëm Kosova, por edhe ShBA-ja kanë ngecur.

“Pra, tani Uashingtoni, jo vetëm Prishtina, kanë ngecur. Bëni presioni Albin Kurtit mbi targat dhe Uashingtoni shpërblen arrogancën e Vuçiq”, ka shkruar Josephi.

Josephi ka thënë se thirrjet e Vuçiqit për depërshkallëzimin e situatës janë “marifete” të tij.

Njohësi i Ballkanit ka sugjeruar që Uashingtonit, Bashkimi Evropian dhe partnerët duhet të koordinohen në kërkesë për Kurtin dhe Vuçiqit që në përmbajtje ka sundimin e ligjit në veri.

“Thirrja e sapo lëshuar e Vuçiq për ‘depërshkallëzimin’ është një tjetër marifet që Uashingtoni duhet ta injorojë. Ishte Beogradi ai që përshkallëzoi duke mohuar vizitën e zëvendëskryeministrit të Kosovës – pasi Prishtina lejoi kryeministren e Serbisë, Bërnabiq të vizitojë veriun e Kosovës vetëm muajin e kaluar. Për të dalë nga kriza e menjëhershme, Uashingtoni dhe partnerët kryesorë të BE-së duhet të bashkojnë kërkesën për Kurtin, me një kërkesë të mundshme për Vuçiqin, që trajton çështjen themelore: sundimin e ligjit në veri të Kosovës”, ka shkruar Josephi.

Ai në fund, ka japë një version të tij për dalje nga kjo situatë.

“Sugjerimi im: Kërkoni që Vuçiqi të shpall publikisht një hetim special për vrasjen e Oliver Ivanoviq në vitin 2018. Kjo çështje ka të bëjë me një serb të Kosovës dhe drejtësia për Ivanoviqin është një goditje për lidershipin kriminal në veri”, ka shkruar Josephi.

31 tetori është afati i fundit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës (RKS).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hatixhe Hertica nga Prishtina, shpall të pavlefshme Diplomën e SH.M.…