Kadri Veseli e quan frikacak Elez Blakajn: Nuk pati guximin që këtë gjë ta çojë deri në fund

20 gusht 2018 | 21:25

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar rreth procesit të hetimit të listave për veteranët e UÇK-së, si dhe për dorëheqjen e Elez Blakajt nga pozita e prokurorit special.

Ai përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook” ka thënë se Blakaj nuk kishte guxim që ta çojë deri në fund hetimin e listave të veteranëve.

“Elez Blakaj, një prokuror që shteti i Kosovës ia kishte dhënë besimin, nuk pati guximin që këtë gjë ta çojë deri në fund, për çka e ka pasur mbështetjen time të plotë – si njeri, si luftëtar dhe si lider institucional e politik. Ai kishte menduar të bëhej prokuror hero pa e luftuar krimin, ashtu sikurse këta mashtrues që duan të bëhen veteranë pa pjesëmarrje në luftën çlirimtare”, ka shkruar Veseli.

Postimi i plotë i Veselit:

Që ka fryrje të listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka asnjë dilemë. Një shqetësim i tillë më është shprehur nga shumë bashkëluftëtarë, gjë që më ka bërë edhe mua të kërkoj deri në fund hetimin e këtij procesi.

Kam kërkuar qysh në fillim që për këtë drejtësia ta thotë fjalën e saj. Çdo pretendim për mashtrime në listat e veteranëve duhet të hetohet në mënyrë të plotë dhe të paanshme.

Me vjen keq për luftëtarët e UÇK-së, që dikush po tenton të njollosë kontributin dhe sakrificat e tyre. Por, edhe këtë betejë, të mbrojtjes së vlerave të luftës sonë, bashkëluftëtarë, do ta fitojmë, duke vendosur para drejtësisë, me emra dhe mbiemra, të gjithë ata që kanë hyrë në këto lista pa qenë luftëtarë të lirisë.

Në këtë betejë duhen njerëz të përkushtuar dhe të guximshëm në çdo institucion.

Elez Blakaj, një prokuror që shteti i Kosovës ia kishte dhënë besimin, nuk pati guximin që këtë gjë ta çojë deri në fund, për çka e ka pasur mbështetjen time të plotë – si njeri, si luftëtar dhe si lider institucional e politik.

Ai kishte menduar të bëhej prokuror hero pa e luftuar krimin, ashtu sikurse këta mashtrues që duan të bëhen veteranë pa pjesëmarrje në luftën çlirimtare.

Me deklarata nga SHBA-ja nuk luftohet krimi, për aq sa lufta nuk është fituar me deklarata pa marrë pjesë drejtpërdrejt. Sido që të jetë, ky është morali të cilin e zgjedh vetë individi, më të cilin i edukon edhe fëmijët e vet.

Ky proces do të shkojë deri në fund, për aq sa do të shkojë në fund edhe çdo pretendim që ka bërë ky prokuror. Listat do të hetohen. E vërteta do të dalë.

Shteti i Kosovës i kishte besuar z.Blakaj dhe profesionalizmit të tij. Me ikjen e tij, ai tregon se nuk e do shtetin e Kosovës.

Prokurorët që e duan shtetin e Kosovës, që jetojnë me shpirt në këtë vend, do ta përfundojnë këtë proces.

Ikja e Elez Blakajt nga detyra, nuk duhet të jetë aspak dekurajim për njerëzit e këtij vendi, sidomos për profesionistët e drejtësisë.

Siguroj qytetarët e Kosovës se mashtruesit e çdo lloji, as nuk do të mund ta njollosin emrin e lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtaren të Kosovës dhe as nuk do të mund ta dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Besarb Blakaj Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës J.…