Kadri Veseli: Nuk do të lejojmë cenimin e Kosovës nga Serbia

23 nëntor 2018 | 12:18

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një konference për media ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në veri, aksionin e Policisë së Kosovës për arrestimin e disa personave.

Ai ka thënë se kjo vendimmarrje është plotësisht legjitime e institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Në të njëjtën kohë për një thirrje të moscenimit të sovranitetit, stabilitetit dhe sigurisë në vendin tonë, në mënyrë të veçantë moscenimit të qytetarëve tanë në pjesën veriore. Si shtet sovran kemi marrë disa vendime që synojnë të ndalin destruktivitetin e liderëve institucionale të Serbisë kundër Kosovës. Vendimet tona janë legjitime, legale dhe transparente, ato assesi nuk duhet të kuptohen si veprime të drejtuara kundër një komuniteti të caktuar në Kosovë. Për këtë arsye nuk duhet të shërbejë si shkas për të cenuar stabilitetin e Kosovës. Republika e Serbisë, lidershipi i saj, duhet ta kuptojë se politika e urrejtjes, bllokimit dhe provokimit ndaj Kosovës është duke rrezikuar stabilitetin rajonal. Është kundër frymës së dialogut të proklamuar. Kjo politikë nuk i ndihmon bashkëjetesës mes shqiptarëve, serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë. Ka ardhur koha që të ndalen provokime të tilla”, ka thënë Veseli.

“Nuk do të lejojmë cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nuk do të lejojmë veprime që kërcënojnë shqiptarët, serbët dhe komunitetet tjera në veri të vendit. Nuk do të lejojmë veprime që cenojnë bashkëqytetarët tanë serbë kudo që jetojnë në Kosovë”, është shprehur Veseli.

Kryeparlamentari Veseli u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë besim në institucionet e Kosovës dhe të mos bien pre e provokimeve dhe gjuhës së urrejtjes.

“Kosova është e angazhuar që të zgjidhë problemet me Serbinë në mënyrë konstruktive, përmes dialogut dhe mirëkuptimit. Por, kjo nuk do të thotë se ne do të tolerojmë pafundësisht synimet destruktive ndaj shtetit tonë apo përpjekjet për të tensionuar çdoherë gjendjen në Kosovë. E ardhmja e Kosovës dhe e gjithë rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është e angazhuar që të garantojë stabilitet, sundim të ligjit në çdo pjesë të territorit të vet. Shteti i Kosovës do të respektojë plotësisht obligimet ndërkombëtare që ka marrë. Gjithashtu, institucionet e Kosovës do të funksionojnë dhe veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”, ka thënë Veseli.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Floil, është vaji i vetëm vendor në industrinë e ushqimi…