Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj takohen sot

30 janar 2019 | 14:47

Tre partnerët e koalicionit qeveritar, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj do të takohen sot gjatë ditës.

Burime të “Klan Kosovës”, kanë bërë me dije se ky takim pritet të zhvillohet gjatë pasdites.

Ndonëse nuk dihet se cila është arsyeja e këtij takimi, partnerët e koalicionit qeverisës kanë shprehur qëndrime të ndryshme për taksën 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, ka deklaruar se taksa 100 për qind nuk do të hiqet, por ajo mund të pezullohet përkohësisht dhe me kushte, si mirëbesim ndaj ShBA-së dhe BE-së për disa arsye.

“Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”, ka thënë Veseli.

Kryeparlamentari ka thënë se interesat amerikane në Kosovë janë edhe interesa të Kosovës dhe po ashtu interesat e Kosovës janë edhe interesa të SHBA-ve, ndërsa ka shtuar se ky është një fakt i pamohueshëm dhe kështu do të mbetet gjithmonë.

Në ndërkohë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, njëherësh kryetar i AAK-së u ka shkruar një letër ambasadorëve të Quintit dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, në të cilën i ka bërë të ditura kushtet për pezullimin e taksës 100 për qind.

Ai ka kërkuar nga ShBA-ja dhe BE-ja që të nisin dhe mbështesin një konferencë ndërkombëtare me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila sipas tij duhet të përfundojë brenda 14 ditësh.

Në letër është thënë se tarifa do të rivendoset në një datë të mëvonshme nëse nuk arrihet të zbatohet marrëveshja gjithëpërfshirëse e detyrueshme e arritur në konferencë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Përfaqësues së Kosovës në futboll, Arbër Zeneli në…