Kakarizje edhe nga kulmi i institucioneve

28 dhjetor 2023 | 13:57

Shkruan: Ibrahim Skenderi

– Reagim me shkas, ndaj mutacionit shqipfolës –

Dihet mirëfilli se çdo histori ka edhe parahistorinë e vet. Edhe fushata antiUÇK nuk gufoi krejt befasisht.
Që nga paraqitjet e aksioneve të para guerile, shfaqen edhe dyshimet dhe reflektimet antiUÇK, për të vazhduar gjatë kohës së luftës dhe pas saj, me atë ndarjen e turpshme në “Krahu i luftës” dhe “Krahu i paqes”, në vazhdimësi deri në ditët e sotme…
Me defilimet e para të gupeve të luftëtarëve të lirisë nëpër qytete, gjithçka zhvillohej me shumë emocione përcjellur edhe me lot gëzimi. Shumë qytetarë nga ata që e priten me padurim largimin e forcave okupatore serbe, por edhe nga ata që u “befasuan” me largimin e tyre, u afroheshin ushtarëve të UÇK-së, (jo vetëm shqiptarët por edhe minoritetet) duke i përshëndetur e përqafuar, dhe me përkëdheli preknin emblemën e UÇK-së në krahun e ushtarëve, shoqëruar me ndonjë uratë të tipit “Mashallah, mashallah!”.
Por nuk kaloi shumë kohë dhe për interesa partiake dhe jo vetëm, filloi rivaliteti me ndarje djallëzore, në “Krahu i luftës” dhe “Krahu i paqes”.
Pikërisht këtu ndodhin poshtërsitë më të mëdha, duke fyer, denigruar e përdhosur gjithçka që lidhej me luftën e UÇK-së. Çlirimtarët, me përgjithësime akuzoheshim edhe për gjëra që kurrë nuk i kanë bërë.
Më e dhimbshmja është se, me kohën këto forca antiUÇK, i përshtaten çfarëdo ndryshimi politik, dhe aty ku gjejnë hapësirë dhe afërsi mendimesh veprojnë, fatkeqësisht në dëm të vlerave të luftës dhe atyre kombëtare. Dihet mirëfilli, se si pararendje e shtetit të ri të Kosovës, UÇK-ja është ndër vlerat më sublime kombëtare, prandaj të jesh me disponim antiUÇK, s’ka si të jetë ndryshe veç të jesh edhe antiKombëtar.
Edhe më e dhimbshme është kur këto reflektime dalin nga kuadro të shkolluara apo nga zyrtarë të institucioneve, për tu bërë karrem afërsie e grumbullimi për të gjitha fundërrinat shqipfolëse e antikombëtare.
Nga ndonjë i padijshëm mund të priten edhe provokime, sikur u provokuam unë dhe një ekspert i dalluar, ish ushtar i UÇK-së, se: “UÇK-së tash do t’ia ndryshojmë edhe emrin, ashtu si po thotë presidentja, *Burrat dhe gratë e Kosovës*, pra BGK në vend të UÇK”. Por, të thuash “Ka kalue koha e të fortëve”- sikur reagon zyrtari Xhelal Sveçla pas sulmit ndaj invalidit të luftës, për të arsyetuar sulmuesin, në vend të distancimit, apo: “Ma lirë na kish dalë me pague mercenarë, se tash këta veteranë…”- sikur thotë ministër Hekuran Murati, janë të papranueshme. Madje, të strukesh injorueshëm pas publikimit të videodeklaratave se “Nuk e dini ju kush është Kadri Veseli.. Ai është koka e krimit…dhe ato dosje do t’ia dërgoj gjykatës speciale…”, sikur thotë Donika Shvarc, e të udhëheqesh Ministrinë e Punëve të Jashtme të po këtij shteti; të mos u kërkosh falje njerëzve që rininë ia falen atdheut, rrokën armët dhe luftuan për këtë shtet dhe udhëhoqen luftën kundër një armiku më barbar që e njeh historia, me armatën nga më të fortat në Europë, është e pafalshme.
Së fundit edhe një margaritar i ri, nga institucioni që do të duhej t’u printe rrjedhave të zhvillimit të shtetit, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), publikuar nga kryetari i saj akademik Mehmet Kraja. Një dokument “analitik” që godet rrufeshëm, bile më dhimbshëm se Raporti i Dik Martit. Një raport denoncues, me goditje të ulëta, ndaj personaliteteve që kanë meritën kryesore për luftën çlirimtare në Kosovë, e të cilët aktualisht gjinden të burgosur në Hagë. Është kohë e fundit që këtë fushatë duhet ndërprerë dhe dënuar me forcën morale dhe të ligjit!
Vallë, po cili është qëllimi kryesor i fushatës?
Të gjitha forcat antiUÇK padallim lënë përshtypjen sikur janë mbledhur rreth një “ideali”. Por, ato realisht, janë një kor i kakarizjes pa ideal – veçmas kombëtar, por që i bashkon urrejtja ndaj krahut të luftës dhe alibia për kompleksin vetanak në raport me “kontributin” e tyre gjatë luftës, mbase duke menduar se u ka ardhur dita dhe rasti për rehabilitim, përmes anatemimit të luftës çlirimtare dhe vetë akterëve të saj…
Megjithatë, nuk dua të besoj të jetë fushatë strategjike, sponsoruar dhe nxitur nga çarqe armiqësore ndaj shtetit tonë të ri, ndonëse fatkeqësisht këto veprime shkojnë në dëm të shtetit dhe në dobi të diskursit serbo – rus, veçmas në raport me UÇK-në, me vlerat e luftës dhe me pavarësinë e Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka…