Kamberi kërkon sqarim nga Serbia për bllokimin e fondeve për Luginën e Preshevës

19 maj 2026 | 12:36

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka kërkuar sqarime kryeministrit të Serbisë dhe guvernatorit të Bankës Popullore të këtij shteti, për bllokimin e fondeve të ndara nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës.

Në pyetjen e parashtruar në seancën e Kuvendit, ai ka kërkuar të dijë nëse për një gjë të tillë ka vendim nga qeveria dhe nëse po mbi çfarë baze ligjore.

“A ekziston ndonjë vendim i Qeverisë së Republikës së Serbisë, Bankës Popullore të Serbisë, Ministrisë së Financave apo i cilitdo organ tjetër shtetëror, me të cilin kufizohet, ndalohet ose bllokohet realizimi i donacioneve që Këshilli Kombëtar Shqiptar merr nga buxheti i Kosovës përmes bankave komerciale në Republikën e Serbisë? Nëse një vendim i tillë ekziston, në çfarë baze ligjore është marrë? Cili organ shtetëror e ka miratuar një vendim apo udhëzim të tillë? A zbatohen këto masa vetëm ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar apo edhe ndaj këshillave të tjerë kombëtarë të pakicave kombëtare në Republikën e Serbisë? A është vendosur Këshilli Kombëtar Shqiptar në ndonjë listë të brendshme apo zyrtare të kufizimeve ose të mbikëqyrjes së shtuar lidhur me transaksionet financiare?”, ka qenë pyetje e Kamberit.

Ai ka thënë se bllokimi i këtyre mjeteve vë në rrezik funksionimin e Këshillit Kombëtar.

“Bllokimi afatgjatë i transfereve rrezikon seriozisht realizimin e të drejtave të pakicës kombëtare për vetëqeverisje në fushat e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit.Kjo paraqet një sulm të drejtpërdrejtë ndaj çështjeve ekzistenciale të Këshillit Kombëtar dhe të gjithë përfituesve të përmendur”, është shprehur deputeti shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pagesat e komunave për vendime gjyqësore dhe përmbarimore në vitin…