Kamberi për ndaljen e shqiptarëve në kufi: Serbia fillon me masa represioni ndaj shqiptarëve

17 prill 2024 | 16:01

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj bllokimit shqiptarëve të Luginës së Preshevës në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë”.

“Mirë se vini në të ,90-at. Serbia fillon me masa represioni ndaj shqiptarëve, menjëherë pasi që Parlamenti Evropian, ka rekomanduar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Këto masa represive që po ndërmerren ndaj civilëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, në vendkalimin kufitar ‘Dheu i Bardhë’, vijnë menjëherë pas vendimit të djeshëm të Parlamentit Evropian dhe kërcënimeve të para disa ditëve të presidentit serb Vuçiq për ‘procesimin e gjithë atyre që cenojnë rendin kushtetues’”, ka shkruar Kamberi në “Facebook”.

Ai ka thënë se të rinjtë shqiptarë nga Bujanoci, po ndalen sot, në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë” duke u mbajtur me orë dhe vonuar n këtë pikëkalim.

“Kjo masë represive ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, po ndërmerret, krahas masave të njëjta që po ndërmerren ndaj shqiptarëve të Kosovës nëpër pikëkalimet kufitare serbe, sidomos, në kufirin me Kroacinë. Serbia, sot, po e shkelë brutalisht Marrëveshjen për tabelat e regjistrimit dhe po e cenon rëndë të drejtën fundamentale të njeriut ‘qarkullimin e lirë’. Këto masa po ndërmerren si masa retorzive pas hapit të rëndësishëm të Republikës së Kosovës për anëtarësim në KE. Ndalesat nëpër kufij, patrullat policore dhe retorika e shfrenuar antishqiptare që po aplikohen ditët e fundit janë përsëritje e masave të agresionit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Bashkimi Evropian dhe institucionet tjera ndërkombëtare duhet të dalin me reagim të fuqishëm ndaj represionit që po e ushtron shteti ‘pretendent për BE’”, ka shkruar Kamberi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet serbe kanë ndaluar të mërkurën autobusë me udhëtarë nga…