Kampi Nacional hap dyert për akomodimin e ekipeve kombëtare

03 shkurt 2023 | 18:12

Kombëtarja U17 e Kosovës në konkurrencën e femrave ka filluar përgatitjet për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2023, të cilat zhvillohen në muajin mars në Francë.

Dardanet e kësaj grupmoshe u grumbulluan në Kampin Nacional në Hajvali, i cili për herë të parë i ka hapur dyert për akomodim të plotë të ekipeve kombëtare.

Ky kamp tashmë i plotëson të gjitha kushtet për qëndrim disaditor, aq sa i nevojitet një skuadre, derisa do të jetë në shërbim edhe për grupmoshat e tjera të kombëtareve në të dyja konkurrencat.
Qëndrimi në kamp është mirëpritur shumë edhe nga futbollistet, të cilat u shprehën të kënaqura me kushtet dhe gjithçka ofron kampi.

Sahare Berisha dhe Albina Gegaj e vlerësuan faktin që të gjitha aktivitetet zhvillohen në një vend pa pasur nevojë të humbin kohë për të bërë rrugë në ndonjë destinacion tjetër.

Edhe përzgjedhësja e kombëtares së kësaj grupmoshe, Sanije Krasniqi u shpreh e lumtur për krijimin e këtyre kushteve në kamp, e të cilat u kursejnë kohë dhe ndikojnë në përgatitje sa më të mirë. Krasniqi ndër të tjera tha se gjatë grumbullimit përveç stërvitjeve, po organizohen edhe disa punëtori përmes të cilave u ndihmojnë vajzave të socializohen dhe të përgatiten për kalimin në grupmoshat tjera.

Kampi Nacional në Hajvali posedon një fushë me bari natyral dhe dy fusha ndihmëse me bari sintetik, ku edhe po i zhvillon stërvitjet Kosova U17.
Ky grumbullim katërditor do t’i shërbejë Krasniqit të bëjë selektimin e futbollisteve më të mira vendore dhe të ardhura nga jashtë, për të formuar ekipin me të cilin do të përballen kundër Irlandës, Francës dhe Italisë në mars.

Ndonëse është vetëm dita e parë, Bardha Mahmuti tha se atmosfera është shumë e mirë në ekip. Francën ajo e konsideron si kundërshtarin më të fortë por pohoi se atje shkojnë për të fituar. E Lorita Islami që i bashkohet Kosovës për herë të parë, u ndje shumë e lumtur për ftesën që ka marrë dhe për pritjen që iu bë nga ekipi i Kosovës.

Kujtojmë që Kosova U17 vitin e kaluar ka kaluar nga Liga B në Ligën A, duke shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në rrugëtimin drejt Euro 2023.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fundjava do t’i sjellë ndeshjet e javës së 21-të në…