Kapiteni Dedaj: Për fanellën e Kosovës duhet të jepet maksimumi

06 tetor 2022 | 17:05

Kapiteni Valon Dedaj nuk do ta udhëheqë Përfaqësuesen e Kosovës në hendboll në ndeshjet e javës tjetër ndaj Malit të Zi dhe Sllovenisë.

Dedaj, që shquhet me organizim të lojës, i është nënshtruar një operimi dhe është ende në fazën e rikuperimit. Kosova të mërkurën e ardhshme luan në Podgoricë ndaj Malit të Zi, ndërsa më pas të dielën (16 tetor) e pret Slloveninë, favoriten e grupit.

Dedaj e di që janë dy ndeshje të vështira. Ai e nisi edicionin në Superligën e Zvicrës me skuadrën Kreuzlingen, por ka munguar në ndeshjet e fundit.

“Ka dy muaj që kam pasur telashe shëndetësore, ndërsa para dy javësh e kam operuar zorrën qorre. Prej 1 nëntorit mund të luaj sërish, ndërsa deri atëherë mund të bëj vetëm ushtrime fitnesi. E di se mungesa e Bujar Ramosajt dhe e imja është e madhe. Besoj se lojtarët që i ka ftuar selektori do të luftojnë për fanellën që e veshin ndaj Malit të Zi dhe Sllovenisë. Kosova i ka edhe pesë deri në shtatë lojtarë që kanë shumë përvojë. Besoj se ata lojtarë duhet ta bëjnë maksimumin për një rezultat të mirë. Gjithnjë kam thënë se kur luajmë në Kosovë nuk i frikësohem askujt. Në shtëpinë tonë luftojmë shumë. Jashtë është më vështirë pasi nuk i kemi tifozët. Duhet që në dy ndeshjet ta japim maksimumin dhe më pas të shohim çka do të bëhet”, ka thënë Dedaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në medie dhe nga gazetarë po raportohet se ministri i…