
PSG-ja ‘fundos’ Bayernin dhe kalon në gjysmëfinale
Paris Saint-Germaini ka shënuar fitore me rezultat 2-0 ndaj Bayern Munich, duke siguruar kështu kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Botës për Klube.
Rasti i parë serioz i takoi francezëve të cilët në minutën e tretë iu afruan golit me anë të Desire Doue, por pa sukses.
Në minutën e 27-të Michael Olise bëri një gjuajtje tejet të rrezikshme e cila e kërcënoi portën e Gianluigi Donnarummas, por nuk përfundoi në rrjetë.
Pasi dribloi me lehtësi Dayot Upamecanon, Khvicha Kvaratskhelia (32’) ishte afër të shënontë, por Manuel Neuer bëri një super pritje për t’ia mohuar golin.
Shumë afër për të realizuar ishte edhe Harry Kane, i cili në minutën e 39-të nuk arriti ta gjejë portën me kokë pas krosimit nga Kingsley Coman.
Në minutën e 41-të Jamal Musiala pati një super rast për të shënuar, por sërish në skenë doli Donnarumma, i cili nuk lejoi të mposhtej.
Bradley Barcola (49’) shpërdoroi një mundësi të pastër shënimi, duke dështuar të shënojë ballë për ballë Neuer.
Golin e fitores PSG-ja gjeti në minutën e 78-të me anë të Desire Doue i cili realizoi një gol të bukur për 1-0.
Në minutën e 83-të PSG-ja mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Willian Pacho u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje në Leon Goretzkan.
Me karton të kuq u ndëshkua edhe Lucas Hernandez në minutën e 92-të pas një goditje me bërryl ndaj Raphael Guerreiros.
Në minutën e 95-të pas një kundërsulmi të shpejtë, parisienët realizuan për 2-0 me anë të Ousmane Dembeles pas një asistimi fantastik nga Achraf Hakimi.
Në gjysmëfinale të Kupës së Botës për Klube, PSG-ja do të luajë me fituesin e Real Madrid/Borussia Dortmund (22:00).