Katër gola, një karton i kuq, shumë emocione, por jo edhe fitues në ‘El Clasico’

06 maj 2018 | 22:50

Katër gola, një karton i kuq, shumë emocione, por jo edhe fitues në përballjen mes Barcelonës dhe Real Madridit.

97 mijë tifozë ishin mbledhur në ‘Camp Nou’ për të parë derbin e javës në Evropë, ku Barcelona ruajti epitetin e skuadrës së pamposhtur në La Liga duke barazuar 2:2 me Real Madridin, edhe pse komplet pjesën e dytë e zhvilloi me një lojtar më pak në fushë.

Janë dashur vetëm 10 minuta lojë për të parë golin e parë në ‘El Clasico’. Një top i nisur nga portieri Ter Stegen, solli një aksion të rrjedhshëm të Barcelonës, ku Sergio Roberto u gjet në krah të djathtë, për të bërë një harkim drejt zonës së Realit, ku Luis Suarez me një goditje gjymsëvollej kaloi vendasit në epërsi.

Ky gol nuk e uli aspak motivimin e lojtarëve të Real Madridit, që pas katër minutave arritën të barazonin rezultatin në 1:1.

Ishte Cristiano Ronaldo lojtari që gjeti golin, për të rihapur sfidën, kur dërgoi në rrjetë një topi që pranoi nga Karim Benzema.

Vazhdimi i pjesës së parë, më shumë solli zënka mes lojtarëve sesa mundësi shënimi.

Gjithçka nisi me një zënkë mes Sergio Ramos dhe Luis Suarez, gjë e cila solli ndëshkimin me karton të verdhë për të dy. Me karton të verdh u ndëshkua edhe Lionel Messi disa minuta më vonë, kur ndërhyri ashpër në Ramosin.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, Barcelona mbeti me një lojtar më pak në terren, kur Sergio Roberto u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një goditje të qëllimshme me grusht në Marcelon.

Pjesën e dytë Real Madrid e nisi pa Ronaldon. Zinedine Zidane vendosi ta largonte portugezin që pësoi një lëndim tek momenti i golit të barazimit. Në vend të tij në lojë hyri Marco Asensio.

Edhe pse me një lojtar më pak në fushë, Barcelona regjistroi sërish një fillim të mbarë, duke e rikthyer epërsinë.

Ishte Lionel Messi që tani tundi rrjetën e Keylir Navas me një goditje të bukur, pas një asistimi që mori nga Luis Suarez.

Gjashtë minuta më vonë, Ernesto Valverde vendosi ta largonte nga loja Andres Iniestan, për të cilin ishte ‘El Clasico’ e fundit. Kjo bëri që të pranishmit në ‘Camp Nou’ ta përcjellin me ovacione e duartrokitje largimin e tij nga fusha.

Barcelona shumë lehtë ka mundur të shënojë edhe golin e tretë në minutën e 69’, por Keylor Navas me një super-pritje ia mohoi golin e dytë në këtë ndeshje Lionel Messit.

Ky rast i shpërdorur i kushtoi Barcelonës, pasi Gareth Bale në minutën e 72’ barazoi gjithçka me një gol të bukur të shënuar nga jashtë zona.

Deri në fund të ndeshjes, përkundër disa mundësive të treguara, rezultati mbeti i pandryshuar. Barcelona 2:2 Real Madrid./Lajmi.net/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasditen e sotme, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me…