Katër konkluzione të nxjerra nga zgjedhjet në SHBA

09 nëntor 2022 | 13:54

Reuters

Demokratët dolën më mirë seç pritej në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, të cilat u mbajtën më 8 nëntor. Por, derisa numërimi i votave vazhdon ende në disa shtete, ka mundësi që republikanët të përfundojnë edhe me kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, edhe me atë të Senatit.

Roli i Fettermanit

Fitorja e demokratit John Fetterman në Pensilvani kundrejt republikanit Mehmet Oz u jep demokratëve edhe një ulëse në Senat – dhomën që aktualisht është e ndarë në 50 me 50. Kjo do të thotë se republikanët do të duhet të fitojnë së paku tri vende në Xhorxhia, Arizona dhe Nevada, për të marrë kontrollin e dhomës.

Për Fettermanin, i njohur për veshjen e xhupave me kapele në vend të kostumeve, fitorja ka qenë edhe triumf personal, pas një sulmi në kokë që ka pësuar muaj më parë.

Oz, me profesion mjek, ka vënë në pikëpyetje aftësinë e tij për të kryer detyrat. Ai ka bërë shumë vizita në rajonet rurale të shtetit, duke folur për krijimin e vendeve të punës për klasën punëtore. Kjo edhe i është shpaguar. Ai ka fituar qarqet e njëjta rurale që i ka fituar edhe ish-presidenti Donald Trump, në vitin 2020.

J.J. Abbott, i cili ka qenë sekretar shtypi i ish-guvernatorit të Pensilvanisë, Tom Wolf, ka vlerësuar Fettermanin për performancën e tij, por ka thënë se shqetësimet e votuesve për të drejtat e abortit dhe integritetin e zgjedhjeve kanë qenë gjithashtu faktorë.

Fetterman ka zhvilluar “një fushatë autentike dhe të fortë, që ka mposhtur në mënyrë efektive një mori sulmesh”, ka thënë Abbott.

Aborti në kutitë e votimit

Nëse demokratët përfundojnë duke zvogëluar humbjet e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve dhe duke mbajtur kontrollin e Senatit, çështja e të drejtave të abortit do të mund të konsiderohet si meritore.

Në muajin qershor, Gjykata Supreme e SHBA-së ka kufizuar ndjeshëm të drejtën e abortit.

Askund më shumë se në Miçigan, guvernatorja demokrat, Gretchen Whitmer, i cili është zotuar se do të luftojë për të drejtat e abortit, ka mposhtur sfiduesin republikan, Tudor Dixon.

Votuesit në Miçigan kanë miratuar edhe një dispozitë që i jep mbrojtje kushtetuese abortit – çfarë do të thotë se ligjvënësit republikanë do të përballeshin me pengesa të mëdha në përpjekjet e tyre për të kufizuar procedurën.

Sondazhet e kryera nga Edison Research kanë treguar se ekonomia dhe aborti kanë qenë dy çështjet kryesore për votuesit.

Për më tepër, 76% e demokratëve kanë thënë se aborti ka qenë shtytësi më i madh i tyre për të votuar.

Distrikti i 7-të i Virxhinias

Rezultatet në një pjesë të Virxhinias kanë dhënë disa sugjerime se si po zhvillohet gara për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Analistët kanë thënë se gara midis demokrates në pushtet, Abigail Spanberger, dhe republikanes Yesli Vega në distriktin e 7-të të Virxhinias do të jetë një lloj matësi.

Distrikti ndodhet në periferi të Uashingtonit.

Spanberger, e moderuar, dikur është konsideruar relativisht e sigurt, por me përkeqësimin e mjedisit politik për demokratët, pasiguritë për të janë rritur.

Në zgjedhjet e 8 nëntorit, Spanberger e ka mundur Vegën, duke sugjeruar se nëse do të ketë një valë republikane, ajo do të jetë më shumë një valëz sesa cunami.
Spanberger i ka bërë kundërshtimet e Vegës ndaj abortit temë qendrore të fushatës së saj.

Gara në distriktin e 10-të të shtetit, që ndodhet edhe më afër Uashingtonit, ka përfunduar, po ashtu, me mbetjen e demokrates Jennifer Wexton në detyrë.
Republikanët, në anën tjetër, kanë fituar distriktin e parë të Virxhinias, i cili është udhëhequr deri më tash nga demokratja Elaine Luria.

Kjo fitore i afron republikanët më pranë pesë vendeve që u nevojiten për të marrë përsipër Dhomën e Përfaqësuesve.

Larg Virxhinias, demokratja Sharice Davids ka ruajtur vendin e saj në Kansas, duke mposhtur me lehtësi kundërshtarin e saj republikan. Ashtu si Spanberger, Davids është konsideruar si më e cenueshme.

Hapi i ardhshëm i DeSantisit

Ashtu siç pritej, republikani Ron DeSantis është rizgjedhur me lehtësi guvernator i Floridës.

Tani, të gjithë sytë do të jenë në hapin e tij të radhës: nëse ai do të ketë guxim të përballet me Trumpin në nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Se DeSantis është duke konsideruar garën për Shtëpinë e Bardhë, është sekret i hapur tash e sa muaj, ndonëse ai nuk flet kurrë publikisht për këtë.

Trump ka lënë të kuptohet se mund të shpallë kandidaturën e tij më 15 nëntor. Në mitingje, ai është tallur me DeSantisin, duke thënë se guvernatori nuk do të ishte një garues i fortë për nominimin e Partisë Republikane.

David Jolly, ish-kongresist republikan nga Florida, ka thënë se pret që DeSantis të japë së shpejti shenja për ambiciet e tij presidenciale.

Një sondazh me qytetarët e Floridës, i kryer së voni nga Victory Insights, ka zbuluar se ata janë të ndarë në mënyrë të barabartë: 50% për Trumpin dhe 50% për DeSantisin.

Përgatiti: Valona Tela / Rel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari Betim Alihajdari nuk e ka ndërmend të ndalet, pasi…