KDI-ja: Qeveria duhet të bashkërendojë qëndrimet me opozitën për rishikimin e buxhetit

10 korrik 2020 | 14:48

“Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi rishikimin e buxhetit me procedura të përshpejtuara, për të sanuar pasojat ekonomike dhe shëndetësore që ka shkaktuar pandemia. Ky projektligj do të jetë në shqyrtim të parë në vazhdimin e seancës së sotme. Sidoqoftë, për trajtimin e projektligjit me procedura të përshpejtuara, kërkohet shmangie nga Rregullorja me votat e ⅔ e deputetëve të pranishëm, që nënkupton se nevojitet pajtueshmëri më e gjerë mes grupeve parlamentare në pozitë dhe atyre në opozitë”, është thënë në komunikatën e KDI-së.

KDI-ja ka theksuar se duke pasur parasysh situatën e ndjeshme me pandeminë është e domosdoshme që buxheti i rishikuar të jetë reflektim i qëndrimeve të të gjitha partive politike.

“Andaj, KDI kërkon nga koalicioni qeverisës të intensifikojë përpjekjet për gjetjen e një gjuhe të përbashkët me opozitën, duke marrë parasysh propozimet dhe kërkesat e tyre, në funksion të arritjes së pajtueshmërisë për kalimin e projektligjit për rishikimin e buxhetit”.

“KDI konsideron se një qasje bashkëpunuese mes qeverisë dhe opozitës e promovuar dhe e kultivuar nga qeveria, duhet të mbizotërojë në angazhimin e përbashkët për përballje me pandeminë dhe pasojat e saj”, është thënë në komunikatën e KDI-së.

(A.M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson do të qëndrojë jashtë fushave…