KEDS-i do të investojë rreth 7.5 milionë euro në rrjetin elektrik të Gjakovës

14 korrik 2021 | 15:38

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të investimeve në KEDS, Faruk Gjukaj, i shoqëruar nga këshilltari ekzekutiv, Avni Alidemaj dhe inxhinierja për bashkëpunim me institucione qeveritare, Burbuqe Baruti, janë pritur të mërkurën në takim nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini me bashkëpunëtorë.

Gjatë këtij takimi është diskutuar rreth bashkëpunimit aktual në mes të KEDS-it dhe Komunës së Gjakovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të investimeve në KEDS, Faruk Gjukaj, ka bërë me dije se në rrjetin elektrik të Gjakovës do të investojnë rreth 7.5 milionë euro.

“KEDS-i ka planifikuar që në Komunën e Gjakovës të realizojë projekte madhore investive në rrjetin elektrik. Kostoja e tyre do të jetë rreth 7.5 milionë euro. Këto investime do të ofrojnë zgjidhje afatgjate për konsumatorët tanë atje”, ka thënë Gjukaj.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka shprehur mirënjohjen e tij për këtë mbështetje që KEDS-i është duke ia ofruar kësaj komune.

“Ne jemi të hapur që të intensifikojmë bashkëpunimin. Ne do të shtyjmë përpara çdo proces teknik që na takon si komunë, në mënyrë që sa më parë të fillojë operacionalizimi dhe implementimi i projekteve. Sigurisht se me këto investime të KEDS, rrjetit elektrik po i bëhet një zgjidhje e mirë”, ka thënë Gjini.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Politologu, diplomati dhe veprimtari i njohur i kauzës shqiptare, Fatlum…