KEDS-i ndërtoi linjën e re të Tensionit të Lartë për 40 fshatra të Shalës së Bajgorës

13 mars 2019 | 12:29

Një rrjet komplet i ri tashmë shtrihet buzë rrugës që gjarpëron nga Mitrovica në drejtim të majeve më të larta të Bjeshkëve të Shalës së Bajgorës.

Linja e re e Tensionit 10 kilovolt nis në Shupkovc dhe përfundon në Bajgorë.

Ajo do t’i furnizojë me energji elektrike dyzetë fshatra të Shalës si Bare, Vidishiq, Rahovë, Zhazhë, Selac, Bajgorë, Kaqanollë, Kovaqicë, Vllahi, etj. Përfitues janë mbi 1,700 familje dhe biznese të asaj ane apo afro 10,000 banorë.

Në vend të shtyllave të vjetra të pandërruara tash e 50 vjet, janë vendosur kabllo nëntokësore në gjatësinë mbi shtatë kilometra dhe pjesa tjetër në shtylla të reja të betonit.

Tani rrjeti i ri mundëson shërbime më të sigurta dhe më kualitative. Gjithashtu me realizimin e këtij projekti zvogëlohen edhe humbjet teknike dhe komerciale në largpërçuesin LP 10(20) kV.

Rrjeti i vjetër ka qenë nëpër terrene malore – kodrinore dhe për këtë ka qenë shumë e vështirë për t’i evituar problemet në rrjet.

Me ndërtimin e rrjetit të ri trasea e të cilit është bërë përskaj rrugës rajonale do të mundësojë qasjen më të lehtë për mirëmbajtje.

Ndërtimi i këtij rrjeti ka mundësuar shkëputjen e konsumatorëve të KEDS-it të cilët janë furnizuar nga rrjeti elektrik i Trepçës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte (e mërkurë) kompletohen skuadrat çerekfinaliste në Ligën e Kampionëve,…