Kelmendi: Na mungon një lider i cili e jep jetën për tokën e Kosovës

25 shkurt 2018 | 14:29

Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, e ka quajtur të dëmshme marrëveshjen e partive politike për kalimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Kosovës i mungon një lider i cili edhe jetën e jap për tokë të Kosovës, e jo lider që falë tokë për të mbetur në pushtet”, ka shkruar Kelmendi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kelmendit:

Po a falet toka Kosovës bre?!

Marrëveshja e partive politike për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit është dëmi më i madh që i ka ndodhur tokës shqiptare pas Kongresit të Berlinit në vitin 1878.

Kjo marrëveshje dëmton rëndë interesin shtetëror të Kosovës. Kjo marrëveshje cenon rendin kushtetues të Kosovës.

E dimë se ratifikimi i demarkacionit është kërkesë e BE-së për liberalizim të vizave. Por, ky kusht, kjo kërkesë e BE-së nuk është e drejtë.

Ngase për asnjë vend të Ballkanit që kanë fituar të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza, nuk ka qenë ky kusht. Bile edhe sot shumë vende të BE-së nuk e kanë të zgjidhur çështjen e demarkacionit mes tyre.

Pse vetëm Kosova duhet ta paguaj këtë çmim? A nuk mjaftoj që Kosova u desh të paguaj çmimin më të lartë për liri? A nuk mjaftoj gjenocidi, masakrat dhe terrorizmi mbi popullin e Kosovës?

Tash kërkohet që edhe të falim tokë. E Serbia e cila ishte autore e gjenocidit, masakrave dhe terrorizmit mbi popullin e Kosovës, ka fituar vite më parë të drejtën e lëvizjes pa viza për qytetarët e saj.

Bile Serbia pritet që sa më shpejtë ta fiton statusin e anëtarit me të drejta të plota në BE. Kosova ka paguar dhe po vazhdon të paguaj çmime të shtrenjta për lirinë e saj.

Kosovës i mungon një lider i cili edhe jetën e jap për tokë të Kosovës, e jo lider që falë tokë për të mbetur në pushtet.

Falënderoj Zotin që ma mundësoj të jem deputeti i parë në Kuvendin e Kosovës që kundërshtova marrjen e tokës së Kosovës nga Mali i Zi (25 mars 2011).

Edhe sot i qëndroj besnik atij vendimi se nuk duhet falur toka Malit të Zi.

Edhe nëse më kushton me jetë, nuk zmbrapsem nga ky qëndrim i imi. Kështu me mësoj baca Isë Boletini. Kështu me mësoj baca Adem Jashari.

Kosovë nuk të tradhtoj,
Kosovë nuk të shes,
Kosovë do të mbroj,
derisa të vdes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga deputetët…