Këmbora dyjare

07 prill 2020 | 19:16

Sprovë për mendjen me një mendje tjetër

Shkruan: Ismail Syla

Pas shprehjes frazeologjike “thes me dy gryka”, togfjalëshi “zile dyjare” ose “këmborë dyjare” hyn në radhën e shprehjeve që më bëjnë të lumtur për pasurinë dhe forcën shprehëse të gjuhës shqipe. “Thesi me dy gryka” është metafora më e mirë e natyrës së pangopshme të njeriut. Si të thuash njeriu me dy lukthe, me dy gojë e dy fyte, njeriu me lubinë në bark, një figurë e mitologjisë shqiptare, që përfytyrohej edhe si kuçedër edhe si gjarpër.

Ndërkaq “zilja dyjare” është zile që ka brenda një zile më të vogël në vend të gjuhëzës dhe që tingëllon me dy zëra. Çfarë mrekullie. Po të hulumtosh më tej gjen se ka zile triare, me tri zile brenda. Por, mjafton të bëhet një sprovë për ta shpjeguar kuptimin metaforik të ziles dyjare. Fjala “dyjar” si emër ka kuptim të pjellave binjake, ndërkaq si mbiemër përdoret për të shënuar diçka që ka dy pjesë të ngjashme, dy shtresa të njëjta ose të ngjashme, dyfishe.

Të paramendohet se kur të tundet qafa e bagëtisë që mban zilen ose këmborën, ajo në vend tët thumbit e vë në lëvizje një këmborë, e cila brenda saj ka thumbin e vet. Këmbora e vogël në këtë rast nuk është thumb i thjeshtë, është thumb kumbues, që prek muret e këmborës së madhe, prekje e cila shndërrohet në zë, në tingull me ngjyrë të veçantë.

Brenda kësaj zëdhënie të këmborës së madhe, këmbora e vogël godet muret e këmborës së madhe dhe në këtë ndërlidhje, gjuhëza e saj përplaset në muret e vetvetes dhe lëshon një tingull ndryshe nga ai që ia shkakton këmborës së madhe për të cilën e vogla është gjuhëz. Këmbora gjuhëz dhe gjuhëza e saj, të dyja së bashku prodhojnë dy tinguj të ndryshëm por aq shumë të lidhur dhe të ndërlidhur me njëri tjetrin.

Paramendojeni se si do të ndërlidheshin zërat në “zilen triare”: ai i këmborës së madhe me këmborën tjetër, që në vend të thumbit edhe kjo ka një zile, dhe zilja më e vogël ka më në fund thumb. Ky kombinim i njëpasnjëshëm i ziles brenda ziles ta kujton imazhin e pafund ë pasqyrës përballë pasqyrës, ose përpjekjen e mendjes njerëzore ta paramendojë deri ku mund të shkojë pafundësia.

Të kthehemi te fuqia metaforike e ziles ose këmborës dyjare. Kjo prani e tingëllimave të ndryshme në këmborë të futura në njëra tjetrën sikur thotë se në mendjen e njeriut duhet të ketë dy, tri e më shumë mendje. Dihet nga ana anatomike truri i ka disa pjesë, që kryejnë funksione të caktuara. Kjo sprovë nuk ka të bëjë me këtë aspekt. Ka të bëjë me mendjen si atësia e njeriut për të menduar, për të njohur, për të arsyetuar e për të gjykuar.

Pra mendjes së njeriut, asaj parësores, më të thellës, më të mençurës nuk i mjafton vetvetja, por i duhet edhe një mendje tjetër, një mendje shtesë, një mendje rezerve aktive e të gjykuarit. Mendjes madhore, sovrane, të gjithëdijshme, të gjithë pranishme, mendjes horizont zotëruese, tejpamëse, brenda dhe jashtë vetvetes njohëse i duhet një mendje më minore, që i rri pranë, me një zë paksa ndryshe, me sy mendje paksa tjerë, me një pikë shikim në tjetër horizont dhe nga tjetër sfond. Pra, mendjes së madhe i duhet një mendje e vogël, një këshilltare e vogël më zë ndryshe që ka një sfond dhe horizont që e sheh nga afër dhe me hollësi.

Ky relacion i mendjes me një mendje tjetër në të njëjtin tru ku prodhohet dhe funksionon mendimi i ilustruar me funksionimin e shoqërisë njerëzore do të ilustrohej mirë me funksionimin e një parlamenti demokratik, shumë partiakë e shumë etnikë. Mendja parësore, do të ishte shumica, pozita, që flet dhe pret në saje të të qenit pozitë. Mendja brenda mendjes do të ishte opozita, një faktor tjetër që dëshmon se mendja parësore nuk është e vetme në këtë botë, ka sy për ta parë botën, por nuk mund të shoh botën edhe për sytë e tjetrit, ka zë për vetveten (tingëllima e këmborës së madhe) por zëri i saj nuk është toni dhe tingulli zërit tjetër (thumbi i këmborës së vogël).

Dhe kështu, në ilustrimin parlamentar, mendja brenda mendjes, zile brenda ziles, këmborë pas këmbore, i bie që në një Parlament Demokratik ka mendje në pozitë, mendje në opozitë, ka mendje “të djathtë”, mendje “të mëngjër”, ka mendje midis të dyjave të djathtës dhe të majtës, ka mendje “të gjelbër”, mendje liberale, mendje të pakicave me larushi etnike etj. etj. Dhe ashtu si zilet, janë të ndërlidhura, kur tingëllon një tingëllojnë të tëra, tingëllojnë ndryshe, por të mos harrohet, të gjitha lëshojnë zë.

Prishtinë, 7 prill 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi zyrtar, ka bërë të…