Këngë për gruan

08 mars 2022 | 10:32

Petrit Ruka

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,

Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,

Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë e po mirë!

Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.

 

Kemi gënjyer njëri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua,

Kemi pështyrë mbi proverbin që qenkëshim mish e thua,

Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.

Kemi thënë një mijë herë u mbush kupa dhe pikë.

 

Pastaj jemi përqafuar, “e po unë isha në gjumë”

Jam futur në mishin tënd siç futet në shkretëtirë një lumë,

Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,

Na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.

 

Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,

Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë)

Po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë

Me dredhi ballkanike që as OKB-ja s’i ka parë.

 

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,

Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,

Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar

Mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar!

 

Më 06.07.2021, në moshën 67 vjeçe, ka vdekur shkrimtari dhe kineasti Petrit Ruka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia ka njoftuar se mund të mbyllë tubacionin e saj…