Kërcënuesit, propaganduesit dhe provokuesit kundër shtetit tonë

30 prill 2021 | 12:36

Shkruan: Arben Dashevci

Përpos pandemisë COVID 19 (kam shkruar me 31.03.2021 në këtë Gazetë/Portal të nderuar).

Dhe pas kësaj:

Padyshim se kërcënuesi dhe kërcënimi më i madh i shtetit tonë është Serbia, kështu ka qenë kështu është dhe kështu si duket edhe do të mbetet për shumë e shumë kohë.

Është fakt që me qindra vite jemi në luftë me këtë shtet, i cili edhe mbas 21 viteve të lirisë ende na kërcënon, dhe këtë e bënë haptazi në mënyrë të paskrupullt.

Nuk ka organizatë ndërkombëtare që ne aplikojmë e që nuk hasim në pengesë nga Serbia.

Ne lobojmë për njohje nga vendet që nuk e kanë bërë ende, kurse Serbia për të kundërtën.

Sipas mendimit tim ajo na kërcënon çdo javë në mënyra të ndryshme, nëpërmjet politikanëve si Vuçiq,Vullin, Daçiq, ose edhe Gjuriq dhe në forma të ndryshme në mënyrat më cinike të mundshme kërcënojnë, natyrisht si gjithmonë, me fjalë, mirëpo kërcënimi i tyre është i kot nasi koti.

Pse është kot nasikoti?

Është për shumë arsye, por arsyeja kryesore dhe vendimtare është NATO, kështu që kërcënimi i tyre (me luftë, ndërhyrje në veri me ushtri etj). është një përrallë e shkruar nga Ezopi dhe kështu do të mbetet.

NATO/KFOR është përgjegjësi kryesor për nëntokën, tokën dhe hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës, çdo elaborim tjetër ose çdo shpjegim tjetër do të kalojë në monotoni sepse përsëriten gjërat e njëjta dhe këtë e dimë të gjithë, por po e përfundoj me kaq: shanset për një sulm të Serbisë ndaj atdheut tonë çfarëdo qoftë përpos Propagandës është e barabartë me zero.

Dhe nuk pajtohem as me të vetmin analist asnjëherë për çështjen që Serbia mundet të ndërhyjë ushtarakisht.

Propaganda

Serbia propagandën e ka specialitet, në shkrimet e mia të mëparshme e kam cekur dhe po e përsëris se politika e tyre krijon gënjeshtra, i artikulon dhe i sofistikon ato gënjeshtra dhe pastaj i plason në treg gjithmonë kundër nesh.

Kështu funksionojnë, kjo është metoda e tyre, thuajse e sofistikuar. Në njërën anë aspirojnë BE (blof i tyre, thithje donacionesh etj.), në anën tjetër kah Rusia, e luajnë rolin e neutralitetit (gënjeshtër), përfitojnë nga të dyja anët duke propaganduar kundër nesh, dhe shkojnë aq vrazhdë, thuajse ky atdhe yni është në Azinë e largët e jo në zemër të Evropës ku gjërat shihen me sy, preken dhe janë të qarta për secilin që viziton vendin tonë.

Gjithçka është CRISTAL CLEAR.

Për Serbinë kjo nuk vlen, ata vazhdojnë me të tyren dhe nuk ndalen dhe sipas të gjitha gjasave as që e kanë ndërmend të ndalen.

URREJTJA RACORE: Në formën e vet origjinale, përcakton formën e skajshme të in tolerancës ndërkombëtare, e cila në të shumtën e rasteve bazohet në bashkimin e racizmit dhe ndjenjave të rrezikimit, plotësohet nga paragjykimet dhe stereotipet, dhe nga jashtë shikohet si diskriminim. Në kuptimin më të gjerë që takohet në dekadën e fundit, shprehja përdoret edhe për emërimin e urrejtjes etnike, kombëtare, e ndonjëherë edhe fetare. Serbia e shfaq këtë urrejtje racore ndaj nesh haptazi në televizione, është ministri i tyre Aleksandar Vulin që e shpreh këtë  aty ku i ofrohet mundësia dhe kjo për të është rutinë, dhe sillet në mënyrë shumë të paskurpullt.

KRIMI I LUFTËS: Vepër e dukshme me të cilën shkelen dispozitat e së drejtës ndërkombëtare në konfliktin e armatosur ose në luftë.

Serbia ka bërë krime lufte në vendin tonë në çdo qytet, qytezë dhe fshat, kurrë falje nuk ka  kërkuar dhe as që mundohet të bëjë, bile ka arritur në atë stad që të bëhet edhe viktimë, krejt kjo falë propagandës së saj dhe gënjeshtrave të tyre të sofistikuara dhe normal, neglizhencës sonë. Jemi të dobët në kundër reagim, fare të dobët.

REPRESIONI: Nënkupton presionin në sjelljen individuale në kuptimin psikologjik dhe psikanalitik, gjegjësisht, shtypje ose shkelje e një grupi shoqëror nga ana e tjetrës, në kuptimin sociologjik. Në kontekstin më të gjerë shoqëror, represioni paraqitet në formën etnike, kombëtare, klasore, gjinore dhe dominantëve të tjera të shtypjes, të grupit sundues mbi atë të nënshtruar.

Represioni i Serbisë ndaj Kosovës ka qenë i njëjtë edhe me të gjitha republikat ish-Jugosllave, përveç se te ne është ndalur hovi i represionit, është ndalur me sulmet e NATOS dhe aty ka qenë fundi i represionit serb (Kapitullimi).

KONSPIRACIONI (KOMPLOTI): Komplot, fshehtësi, planifikim dhe veprim i jashtëligjshëm më së shpeshti kundër pushtetit shtetëror.

Shikoni për 21 vite qytetin tim të Mitrovicës dhe do të bindeni se çka do të thotë konspiracioni, komploti dhe të gjitha format e sabotazhit.

Krejt këto forma të ndyta dhe të fëlliqura i përdor Serbia në qytetin tim dhe tek pastaj i shpërndan aty ku mundet dhe ka hapësirë që të na dëmtojë.

Fshehtësia

Çdo gjë është fshehtësi dhe asgjë nuk është fshehtësi. Në të vërtetë, çka është fshehtësi në marrëdhëniet shoqërore? Vetë nocioni i fshehtësisë ka kuptim të ngushtë dhe të gjerë. Në kuptim të gjerë, fshehtësi quhet çdo gjë që nuk është e njohur (fshehtësia e gjithësisë, të thellësive të detit, të natyrës etj.).

Në kuptim të ngushtë, fshehtësia paraqitet në marrëdhëniet ndër njerëzore dhe e përbëjnë faktet (të dhënat) të cilat individët, grupet e mëdha ose të vogla ose edhe shtetet i mbajnë për vete, “i fshehin” nga të tjerët, nga opinioni.

Ky është edhe kuptimi etimologjik i nocionit – vjen nga fjala fshehje. Fshehja e fakteve dhe të dhënave të caktuara bëhet me qëllim të mbrojtjes së ndonjë interesi dhe me qëllim që të arrihen qëllimet e caktuara.

Shërbimet e sigurisë ofrojnë elemente për gjendje sigurie shteteve dhe organeve të tjera të cilat kryejnë vlerësimin e sigurisë dhe qëllimet. Politika e sigurisë, në mënyrë të përgjithshme, duhet të ketë parasysh:

  • ekzistencën e shtetit;
  • ekzistencën kombëtare;
  • vetëruajtjen fizike;
  • integritetin territorial;
  • pavarësinë politike (pavarësinë dhe sovranitetin) dhe
  • cilësinë e jetës së qytetarëve.

Me këtë kuptojmë:

  • sigurinë e jashtme;
  • sigurinë e mbrojtjes;
  • sigurinë e jashtme dhe të brendshme ekonomike e financiare;
  • sigurinë e brendshme.

INTELIGJENCA: Është mbledhja dhe përpunimi i informacionit rreth vendeve të huaja dhe agjentëve të tyre të cilat janë të nevojshme për një qeveri për politika te saj të jashtme dhe të sigurisë kombëtare.

Kurse përkufizimi im për Inteligjencën është: Mbledhja (grumbullimi), përpunimi,

analizimi, sintetizimi i informacioneve, të cilat shndërrohen në intelegjencë dhe mbrohen mbas perdes së hekurt që quhet fshehtësi.

Dhe kjo inteligjencë u servohet politik bërjes që quhen President dhe Kryeministër, në raste të caktuara edhe të tjerëve mirëpo vetëm sipas nevojës, kurse dy të parëve 101%.

Inteligjenca Nacionale dhe Inteligjenca Kriminale.

Dallimi:

Intelegjenca kriminale është një element i rëndësishëm i një programi efektiv në luftë kundër krimit. Terroristët, trafikantët e lëndëve narkotike dhe anëtarët e organizatave të ndryshme të organizuara kriminale, kanë zhvilluar mekanizma të përpunuar për të fshehur aktivitetin e tyre dhe të kryejnë krime. Thjesht duke arrestuar një anëtar të një organizate kriminale të caktuar, nuk i eleminon kërcënimet kriminale nëse organizata më e madhe mbijeton dhe vazhdon të ketë kapacitet për të kryer krime.

Dhe kjo inteligjencë është policore dhe mbetet si e tillë, merret me kryesit e veprave penale, deri tek arrestimi i tyre, dhe pastaj kalojnë në rastin tjetër penal.

I përmenda edhe Sigurinë Nacionale vetëm pak fare pak, është dega që e di shumë mirë dhe e dua me shpirt, e studioj e analizoj dhe e lexoj.

E bëra edhe dallimin mes Inteligjencës Nacionale dhe asaj Kriminale, për të krijuar përshtypje që të jem i qartë me atë se çka dua të them në fund.

Për sa kohë që shteti ynë investon në këtë drejtim, pra në SIGURINË NACIONALE, që është arteria, barkushja e majtë dhe e djathtë e këtij vendi. Ne jemi të qetë sepse këta njerëz na ruajnë dhe ne nuk e dimë, nuk duhet ta dimë, nuk është as punë për ne që ta dimë, sepse është fshehtësi.

Kush ka informacionin e ka situatën në dorë, kjo është pasuria më e madhe (informacioni). Për sa shteti ynë ka informacionin në dorë, atëherë Serbia sillet dhe pështillet rreth boshtit të vet, dhe mbetet si e ceka si më lart, kot nasi koti, dhe kështu duhet te mbetet.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka ushtrinë, policinë dhe inteligjencën.

Këto janë shtyllat e forta të shtetit tonë, dhe investimet duhet të jenë jo imediate e të menjëhershme, por SOS,  sot dhe jo nesër duhet te bëhen investimet në këto shtylla të shtetit.

Nëse pyet dikush pse SOS, si argument e kemi shembullin e Ukrainës dhe kufirit të saj me Rusinë, (po e përmend vetëm sa për ilustrim sepse kjo është temë dhe analizë në vete). 150000 ushtarë rusë janë të stacionuar aty, presin vetëm urdhrin, anija luftarake Queen Elizabeth (Mbretëria e Bashkuar) është e stacionuar në Detin e Zi së bashku me disa anije luftarake amerikane, nevojitet vetëm një shkëndijë e vetme dhe plasë ajo që nuk e dëshiron asnjëri -LUFTA.

Ukraina nuk është larg nesh, është në Evropë, kur jemi të përgatitur jemi më rahat, e dimë prej të kaluarës në Evropë se nëse ka në një vend luftë automatikisht përshkallëzohet në vende të tjera (invazioni serb në ish-Jugosllavi me kapitullim në Kosovë), apetitet janë të mëdha, urrejtjet janë të mëdha, këtë e pret Serbia të na dëmtojë 24/7.

Por nuk do t’ia arrijë kurrë dhe as atëherë.

Gjithashtu  edhe harta/Non Paper shumë interesante e  është një lloj pandemie e llojit të vetë,e dimë eksperiencën me harta.

Tokat tona u copëtuan dhe u harruan, e fundit qe me 8200 hektar, u premtua liberalizimi vetëm të nënshkruhet ajo marrëveshje me Malin e Zi,as liberalizim dhe as tokë, sepse na kanë copëtuar me vite dhe sakatuar gjithashtu.

Kur e ke një Politik të lodhur, shumë përqarëse, e uritur vetëm për pushtet, të copëtojnë fqinjët të bëjnë copa copa.

Hartat/Non Papers janë pandemi për ne dhe kurth e gjallë, dhe nuk vlen të debatohet për to jo njëherë të paktën 10 vite, deri sa bashkimi me shtetin amë (Shqipërinë) te vie natyrshëm.

Shtetin tone ose fillet e para të shtetit tonë i ka deklaruar Xhorxh Bush (Senior), me thënien e tij të famshme: Mos e prek Kosovën sepse ju bombardojmë.

Ashtu ka ndodhur, bombardimet  kanë qenë realitet.

Dhe demokrati Clinton e ka përfunduar amanetin e presidentit paraprak.

E ka vazhduar Xhorxh W Bush në Fushë-Krujë (Shqipëri) dhe ka thënë ka ardhur koha e pavarësisë, dhe pavarësia është realitet sot.

Edhe bashkimi me shtetin amë(Shqipërinë) do te vie natyralisht tek pas 10 viteve,koha është duke punuar për Shqiptarët dhe nuk kemi nevojë për Non Paper dhe as Bosnjizim.

Non Paper nuk është rastësi është e dizajnuar dhe e menduar mire, dhe tek pastaj me moton jo nuk di asgjë plasohet në publik për matje të pulsit, nëse reagimet janë ekstremisht të ashpra sikur të Kryetarit të SDA Bakir Izetbegoviç, ku u deklarua hapur se do të ketë luftë dhe ne jemi gati.

Dhe pulsi u mat reagimet erdhëm një mbas një, edhe në momentin kur po e përfundoj këtë shkrim po vijnë reagimet Jo ne dhe as ne nuk kemi të bëjmë me këto harta.

Deklarata puro distancuese, dhe me moton gënjeshtare ne nuk e dimë se nga erdhi kjo hartë, atëherë me siguri ka pikur nga qielli.

Të nesërmen presidenti i Serbisë, Vuqiç del me deklaratë dhe thotë as që më bie ndërmend Lufta(vazhdim i lojës Maca dhe Miu)

Non Paper nuk është rastësi është analizë e shtjelluar në hollësi në mënyrë perfide, por është kurthe për ne dhe nuk kalon.

Nuk ka distrikte në Kosovë, këtu nuk jemi në Bërçko të Bosnjës dhe nuk do të bëhet Kosova një Bosnje me distrikte dhe kantone.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tifozët e Barcelonës po presin me padurim rinovimin e Leo…