Kërkohen zgjidhje për jetën dhe ekonominë

02 prill 2020 | 08:55

Nga Marcus Walker

Koronavirusi ka prodhuar diçka të pandodhur më parë në historinë e ekonomisë: asnjëherë më parë qeveritë nuk e kanë vënë ekonominë kombëtare në një gjendje kome, e imponuar nga detyrimi për të mbrojtur jetën e qytetarëve.

Disa shoqëri të së kaluarës, të tilla si Evropa e Mesjetës, e kanë braktisur aktivitetin ekonomik në përpjekje për të shpëtuar nga epidemitë.

Në pandemitë e tjera, siç është gripi i vitit 1918, ekonomia e vijoi aktivitetin nën masa të kufizuara karantine, pasi autoritetet pranuan përhapjen e sëmundjes dhe vdekjet si çmim për vazhdimësinë.

Sot, shumë kombe janë më të gatshëm – ose ndjehen më të aftë – që t’i përdorin të dyja mënyrat. Shpresa e tyre është të shtyjnë pauzën në ekonomi, për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe pastaj përsëri të rikthehejnë aktivitetin ekonomik.

Nëse funksionon mirë, kjo do të jetë një dëshmi për fleksibilitetin e kapitalizmit modern dhe zgjuarsinë e qeverive moderne. Por ka shumë gjasa, që gjërat do të shkojnë keq. “Jemi në një territor të panjohur. Ndaj ka aq shumë hamendësime, ” thotë Simon Tilford, një ekonomist në Forumin e Ekonomisë së Re, në Berlin.

Problemi është se ekonomia nuk ka një buton “pause”.

Distancimi social mund të pezullojë blerjet dhe shitjet me shumicë të mallrave dhe shërbimeve. Ndërkohë shumë kosto vazhdojnë të mbeten. Familjet kanë qira ose kredi për të paguar, përveç faturave për ushqim e nevoja të tjera.

Bizneset kanë listëpagesa të pagave, borxhe dhe shpenzime të tjera fikse. Bankat kërkojnë detyrimet dhe kështu duhet të mbledhin paratë.

Pagimi i pagave, qirave dhe interesave në mungesë të shitjeve dhe punës janë të limituara. Njerëzit dhe bizneset mund të jetojnë me kursimet e tyre derisa të përfundojnë kufizimet. Por shumë nuk kanë rezerva të mjaftueshme. Sa më gjatë të zgjasë ‘karantina’, aq më shumë njerëz do të mbeten pa para.

Sektori privat mund të shkurtojë shpenzimet e tij për të balancuar shitjet e rëna. Por kjo shton papunësinë në masë dhe falimentimentet, shkatërron bizneseve të panumërta të vlefshme, shkatërron forcat e punës dhe mbase çon në një depresion të gjatë.

“Ka një interes të qartë shoqëror për të ruajtur vendet e punës dhe kompanitë nga kjo tronditje e jashtme,” thotë Christian Odendahl, kryekonomist në Qendrën për Reformën Evropiane, një grup ekspertize.

“Struktura jonë ekonomike është një makinë shumë e ndërlikuar dhe organizimi i saj, ndërthurja mes punëtorëve dhe firmave, është e vështirë të rivendoset pasi të jetë shkatërruar.”

Për të shmangur një tragjedi të tillë, qeveritë mund të zëvendësojnë shitjet për një farë kohe, duke dërguar ose huazuar para të mjaftueshme për të mbuluar pagat, interesat dhe kostot e tjera fikse.

Në teori, shteti mund të ruajë kompanitë dhe punën për disa muaj, me kusht që të mund të huazojë ose të printojë para të mjaftueshme, të shpërndajë ndihmën në mënyrë të plotë, që njerëzit të besojnë se normaliteti do kthehet. Në praktikë, rezultati në shumë vende ka të ngjarë që gjërat të mos shkojnë ashtu si duam.

Paketat qeveritare të ndihmës fiskale dhe të likuiditetit janë tashmë të mëdha: 2 trilion dollarë në SHBA dhe qindra miliarda dollarë në Gjermani e Francë. Vendet evropiane po përqendrohen në subvencionimin e listëpagesave në mënyrë që kompanitë të mos pushojnë punëtorët e tyre.

Po ashtu edhe në SHBA po ofrohen kredi falas për bizneset që mbajnë stafin dhe po shtohen përfitimet e papunësisë. Shumë vende po shtyjnë taksat dhe po inkurajojnë ose paguajnë bankat të shtyjnë pagesat e kësteve të kredive.

“Ne po shohim mbështetje të paparë me likuiditet në shumë vende, por rënia e konsumit privat është po aq e madhe sa shumë firma do të mbyllen,” thotë zoti Tilford.

Në SHBA dhe Evropë, ka debat mbi atë se cilët sektorë dhe kompani duhet të mbështeten më fort dhe cilat duhet ti përballojnë vetë disa nga kostot, dhe si të shmangen hedhja e parave për ndërmarrjet ‘e sëmura’ që do të falimetojnë gjithsesi.

Ekziston gjithashtu hezitimi që disa vende të huazojnë shumë, pas problemeve që kanë mbetur një dekadë pasi kriza globale financiare shtoi borxhet publike. Ky shqetësim është veçanërisht i mprehtë në Itali, e cila ka shpërthimin e koronavirusit më vdekjeprurës në botë, por nga ana tjetër edhe financa të brishta.

Dalja e ekonomive nga gjendja e ‘karantinës’ do të jetë e ngadaltë. Vendet nuk duan që infeksionet të rikthehen në një valë tjetër që të detyrohen të ndërmarrin një periudhë të dytë bllokimesh.

Askush nuk e di se sa muaj do të duhen deri kur aktiviteti normal tregtar të rifillojë në tërësi. Nëse operacioni do të ketë sukses, do të lindë pyetja se çfarë do bëhet me borxhet e mëdha publike dhe private

. Falja e huave për bizneset që kanë mbajtur punëtorë në punë mund të ndihmojë sektorin privat të ringjallet, por do të shtojë kostot publike.

Sidoqoftë, borxhet e larta publike nuk janë asgjë e re. Një dekadë më parë, vendet evropiane u përpoqën të paguanin borxhet me kursimet fiskale. Dhimbja ekonomike dhe reagimet politike ende nuk ishin shuar plotësisht kur goditi pandemia. Kjo e bën një përsëritje më pak të mundshme./Mapo

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot do të takohet me…