Kërkohet të ndahen nga 100 euro edhe për punonjësit e sektorit privat

29 gusht 2022 | 15:11

Krahas kërkesave dhe grevave që po mbahen në vend nga punëtorët e sektorit publik për mbështetje financiare në paga shtesë, po kërkohet po ashtu mbështetje financiare prej qeverisë edhe për punëtorët e sektorit privat me nga 100 euro.

Si rrjedhojë e krizës energjetike dhe inflacionit të lartë, sektori privat po ballafaqohet me probleme financiare, ruajtjen e vendeve të punës dhe prodhimin.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë për “Kosovapress” se situata ekonomike dhe sociale në Kosovë është rënduar si pasojë e inflacionit dhe krizës energjetike.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i trajtojë të gjithë sektorët e punës njësoj dhe nuk duhet anashkaluar sektorin privat i cili është mbushës i buxhetit të shtetit.

Gërxhaliu ka thënë se edhe punëtorët e sektorit privat duhet të mbështeten me nga 100 euro.

“Është koha kur institucionet kosovare duhet të kenë qasje gjithëpërfshirëse jo sektoriale apo të fragmentuar. Në këtë drejtim nuk duhet të anashkalohet sektori privat, por problemet që minimizohen dhe nuk trajtohen si probleme po dalin të jenë të mëdha. Nuk e kemi pranuar që agjenda politike dhe dialogu duhet të jenë prioritet i prioriteteve apo do të dominojnë në agjendën ditore, dhe kam drojë që falë këtij dominimi të agjendës politike dhe dialogut Kosovë-Serbi, shumë probleme ekonomike po anashkalohen, nuk po ka kohë për trajtim. Prandaj duhet të trajtohet edhe sektori privat dhe të punësuarit në sektorin privat për ta shijuar ndihmën e shtetit”, ka thënë Gërxhaliu.

Eksperti Gërxhaliu ka thënë se është obligim institucional të mbështes qytetarin dhe punëtorët në këtë kohë kur ka ngritje të çmimeve të pa kontrolluar.

“Është koha kur duhet vërtet të kemi një qasje më humane, më solidare dhe sot sektori privat ta ndiejë dorën dhe gatishmërinë e shtetit për ta ndihmuar. Krahas inflacionit e kemi një rritje të çmimit të pakontrolluar për energji elektrike, besoj që situata po rëndohet jo vetëm se sektorët shërbyese, por edhe në atë prodhues, andaj është koha për veprim dhe jo gjithmonë të humbet kohë në gjetje të arsyes për dështim”, ka thënë ai.

Sipas Gërxhaliut, gabimi më i madh mbetet anashkalimi i krizë ekonomike nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ai ka thënë se sektori privat ka mbetur në mëshirën e kohës dhe vet ndërmarrësve.

“Nuk ka zgjidhje të problemet derisa problem anashkalohet dhe në këtë drejtim mendoj se është bërë gabimi në hapa, që në vend se të ulemi dhe të avancojmë dialog të mirëfilltë privat, të kemi kampanja të dialogut me qytetarë, ne kemi promovuar shifra zhvillimore te të cilat kanë shtuar pritjet e qytetarëve që qeveria apo shteti të bëjë më tepër në këtë kohë krize. Ajo çka është për t’u brengosur është situata aktuale e sektorit privat në Kosovë. Nuk mund të ketë stabilitet as politik as social pa zhvillim ekonomik dhe duhet të kuptohet që bartës i zhvillimit ekonomik në Kosovë, është sektori privat. Sektori privat ka mbetur në mëshirën e kohës dhe vetë ndërmarrësve”, ka thënë ai.

Mbështetjeje e fundit financiare nga qeveria për punëtorët ishte para pesë muajve, në fillim të prillit, ku qeveria kishte marrë vendim për miratimin e Pakos mbështetëses financiare: nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat e publik, studentët dhe pensionistët. Vlera totale e kësaj ndihme ishte rreth 100 milionë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëna e Rita Orës ka postuar video nga pushimet verore.…