Këshilltari i kryeministrit kundër idesë për Qeveri teknike

02 prill 2018 | 16:23

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, ka komentuar kërkesën e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për zgjedhje të parakohshme duke mos përjashtuar si alternativë edhe qeverinë teknike.

Matoshi ka thënë për “Epokën e re” se LDK-ja si parti institucionaliste duhet të bëjë opozitarizëm serioz.

Në këtë kontekst, Matoshi është deklaruar edhe kundër një qeverie teknike.

“LDK-ja si parti institucionaliste duhet të bëjë opizitarizëm serioz, duke ushtruar kontroll parlamentar mbi qeverisjen, si dhe të ndikojë në unitet kur janë në pyetje interesat madhore kombëtare të Kosovës, por nuk varet nga ajo jetëgjatësia e Qeverisë së Kosovës. Qeveritë teknike janë groteske. Si mund të funksionojë një Qeveri pa mbështetje politike? LDK-ja, megjithatë, në thelb e ka mbështetur Qeverinë Haradinaj edhe me buxhetin, edhe me ratifikimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, me ‘Rastin Gjuriq’ si dhe në raste të tjera”, ka thënë Matoshi.

Më tutje, Matoshi ka thënë se Qeveria Haradinaj edhe pas largimit të Listës Serbe është duke i përmbushur agjendat shtetërore sipas mandatit kushtetues. “Qeveria nuk negocion me partitë politike për koalicione, rirreshtime etj. Kjo është çështje e partive politike”, është shprehur Matoshi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Otto John me golin e shënuar në ndeshjen ndaj Drenicës,…