
Kështu bëhej dallimi mes jetës dhe vdekjes në BRSS
Nga: Sam Ashworth-Hayes / The Daily Telegraph (titulli origjinal: The cruelties of the Soviet Union as you’ve never read them before)
Gjërat mund të përcaktohen jo vetëm nga ajo çfarë janë, por edhe nga ajo çfarë nuk janë. Për një pjesë të madhe të shekullit XX, Bashkimi Sovjetik luajti këtë rol për Perëndimin, i cili ishte në gjendje të definonte veten duke kundërshtuar komunizmin. Si rezultat, BRSS ende zë një vend të pazakontë në mendjen perëndimore; ky ishte sfiduesi i fundit i madh, civilizimi i dytë, një kundërshtar i njohur për rrënjët e tij në kontinentin dhe kulturën evropiane, dhe megjithatë i angazhuar në një eksperiment alien. Numri i pafund i trilerëve dhe teksteve historike që mbulojnë përplasjet mes këtyre dy sistemeve, flet qartë për ndikimin që Bashkimi Sovjetik ende ushtron mbi imagjinatën tonë. Por, po aq interesante është edhe pyetja se si ishte jeta pas Perdes së Hekurt, nga majat e shoqërisë deri në bazën e saj.
Këtu futet historiani gjerman Karl Schlögel dhe përkthyesi i tij i shkëlqyer, Rodney Livingstone. Në librin Shekulli sovjetik [Soviet Century], ata synojnë të prezantojnë një “arkeologji të një bote të zhdukur”, duke e parë Bashkimin Sovjetik jo thjesht si “një sistem politik me një fillim dhe fund, por si një formë jete me historinë, pjekurinë, rënien dhe shembjen e saj”. Çfarë pason është një përzgjedhje prej 64 esesh, të cilat lexuesi ftohet t’i ndjekë sipas dëshirës së tij.
Kjo përzgjedhje është eklektike, personale dhe disi arbitrare, gjë që Schlögel e pranon. Megjithatë, është e vështirë të mos e justifikosh për zgjedhjet e tij; esetë mbulojnë gjeografinë e Petrogradit, llojet e letrës së ambalazhit të përdorur në dyqane, librat e gatimit sovjetik, shkritoret e Magnitogorskut dhe mërgimin e intelektualëve – dhe këto vetëm brenda 22 kapitujve të parë. Seksionet e mëvonshme mbulojnë shumë më tepër. Siç thotë Schlögel, “tërësia lind nga detajet”: nga këto histori dhe hulumtime, kemi ndjesinë për shpresat dhe ëndrrat, ambiciet e mëdha, sukseset dhe dështimet e projektit sovjetik dhe çfarë thoshte e gjithë kjo për njerëzit që e përjetuan atë.
Rezultati është një rrugëtim marramendës dhe çorientues përmes një shekulli trazirash. Kapitulli hapës mbi pazaret në rrugë, për shembull, kërcen mes periudhës post-sovjetike, Luftës Civile dhe epokave të tjera për të shpjeguar lidhjen e tyre me ndryshimin dhe trazirat. Efekti i këtyre kalimeve – gjithmonë i lexueshëm dhe i lehtë për t’u ndjekur – mund të shkaktojë një ndjenjë të lehtë çorientimi që i përshtatet mirë lëndës që trajtohet.
Takojmë revolucionarët përmes gazetarit bashkëkohor John Reed: “[Bolsheviku] Pavel Dybenko, u përkul mbi një hartë, duke shënuar pozicionet për trupat me lapsa të kuq dhe të kaltër… pas çdo kohe që ndalej, merrte revolverin dhe rrotullonte cilindrin me kënaqësi”. Na kërkohet të kemi parasysh “malet e banimit” të blloqeve të ndërtuara nga sovjetikët.
Më e vështirë për t’u lexuar është pjesa që trajton pyetjen e rëndësishme në gulagët e Kolymës: “minus 49 apo minus 50 gradë”? Në temperaturën minus 50 gradë, rregulloret përcaktonin që të burgosurit e gulagëve nuk do të detyroheshin të dilnin jashtë për të punuar. Por, në minus 49 gradë, ata detyroheshin të dilnin në të ftohtin ku “toka ishte ngrirë aq fort, sa ishte e pamundur të varroseshin të vdekurit, të cilët për këtë arsye grumbulloheshin në pirgje, në dëborë, derisa treteshin”. Një gradë më shumë ose më pak – kështu bëhej dallimi mes jetës dhe vdekjes.
Të gjitha mizoritë e sistemit sovjetik janë të shfaqura plotësisht, dhe nuk është e rrallë që emrat të shfaqen në tekst bashkë me një shënim të shkurtër për arritjet e tyre të ardhshme dhe ndonjëherë fundin e tyre – të internuar, të dërguar në një gulag, ose të pushkatuar gjatë një spastrimi. Qëllimi i Schlögelit është të tregojë se si ishte jeta nën sistemin sovjetik – dhe ai e arrin këtë në mënyrë të shkëlqyer. Rrallëherë kam hasur një libër që mund të krijojë kaq mirë një imazh të një kohe dhe hapësire të caktuar, ose që mund të shtrojë pyetje që rrallë do t’i mendoja vetë, për të gjetur pastaj përgjigje në mënyrë magjepsëse. Nga detajet krijohet një pamje, edhe pse ajo pamje nuk do të jetë aq lavdëruese sa mund të dëshironin disa përkujtues të sotëm të Bashkimit Sovjetik. Si do të përballen ata me këtë, mbetet për t’u parë.
Do të shtoja vetëm dy paralajmërime ndaj rekomandimit tim. E para është e drejtpërdrejtë: ndërsa në Shekullin sovjetik mund të jetë e vështirë të ndash të kaluarën nga e tashmja – aneksimi i Krimesë, në fakt, ishte një motiv për shkrimin e tij – ky nuk është libri që duhet lexuar për të kuptuar çështjet aktuale ruse (edhe pse mund të ndriçojë disa prej tyre). E dyta është se, me mbi 900 faqe, ky është një libër i rëndë si në kuptimin letrar ashtu edhe në atë metaforik. Nga ana tjetër, ata që kanë përfshirë në qëllimet e tyre të Vitit të Ri një angazhim për ushtrime fizike mund ta gjejnë përpjekjen shtesë në këtë. /Telegrafi/