Kështu e shënoi Kosova “Epopenë e UÇK“-së

05 mars 2018 | 21:02

“Epopeja e UÇK-së” shënohet çdo vit për ta nderuar luftën heroike të komandantit Adem Jashari, sakrificën e familjes Jashari dhe nderimin e dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Thaçi: Askush nuk mund të vërë veto për të ardhmen e FSK-së

20 vjet pas rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, Forca e Sigurisë së Kosovës është rreshtuar në kazermën që e mban emrin e tij, për të nderuar flijimin e Jasharëve në fillim marsin e 1998-ës.

Krerët e lartë të forcës kanë vendosur kurora lulesh pranë obeliskut të dëshmorëve, në kujtim të të gjithë dëshmorëve të kombit.

Komandanti Suprem i FSK-së, Hashim Thaçi, tha se rruga për liri e pavarësi nisi pikërisht me qëndresën e komandantit Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Kjo, sipas tij, pastaj u shndërrua në masivizim dhe zgjerim të jashtëzakonshëm të radhëve të UÇK-së.

Ani pse një vit më parë, presidenti Thaçi ishte zotuar nga e njëjta foltore se shndërrimi i forcës në ushtri ishte çështje ditësh, kësaj radhë, zotimi i tij ishte më i zbutur.

Për kryeministrin Ramush Haradinaj, Forca e Sigurisë së Kosovës po krijon një imazh të ri të vendit.

Më i vjetëri i Jasharëve, Rifati, ishte fjalëpakë por kërkoi unitet politik e qytetar që Kosovës t’i mundësohet një rrugë më e lehtë drejt së ardhmes.

Manifestimi “Epopeja e UÇK-së”, që mbahet për të kujtuar lavdinë e UÇK-së dhe Adem Jasharit, do të vazhdojë edhe ditët në vazhdim.

Më 6 mars, Ditën e Dëshmorëve, do të bëhen homazhe pranë varrit të Adem Jasharit si dhe do t’u bëhen vizita familjeve dhe varreve të dëshmorëve në mbarë Kosovën.

Manifestimi do të mbyllet ditën e tretë me “Natën e Zjarreve”, e cila do të nisë në orën 17, me ndezjen e zjarrit në Prekaz, për të pasuar me ndezjen e zjarreve në të gjitha fushëbetejat e luftës çlirimtare në tërë Kosovën.

20-vjetori i Epopesë së UÇK-së u shënua edhe në Kuvend

Për nder të përvjetorit jubilar u mbajt seancë solemne, por edhe këtë herë, shumë pak deputetë morën pjesë.

Kryeparlamentari, Kadri Veseli, çmoi lart heroizmin e familjes Jashari.

Ai theksoi se Kosova ka shënuar të arritura të mëdha gjatë këtyre viteve, por që ka edhe sfida të shumta përpara.

Kryeministri, Ramush Haradinaj, deklaroi se familja Jashari përmbysi shekujt dhe ndërroi epokat, duke mbetur rast unik i flijimit për liri.

Haradinaj ftoi për unitet politik e qytetarët për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin.

Në këtë seancë solemne, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të familjes së komandantit Adem Jashari.

Homazhe në Prekaz

Në çdo 5 mars, Lumni Krasniqi, bashkë me familjen e tij, i viziton varrezat e familjes Jashari në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Krasniqi thotë se në këtë mënyrë po e nderojnë sakrificën e familjes Jashari për lirinë e Kosovës.

Ai tregon se qëllimisht ka marrë edhe dy fëmijët e tij që të njihen me historinë e kësaj date.

Përveç Krasniqit, në shënimin e 20-vjetorit të Epopesë së UÇK-së edhe shumë qytetarë të tjerë e ish-luftëtarë të UÇK-së kanë bërë homazhe në kompleksin “Adem Jashari”.

Homazhe te varrezat e familjes Jashari ka bërë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Epopeja e UÇK-së” shënohet çdo vit për ta nderuar luftën heroike të komandantit Adem Jashari, sakrificën e familjes Jashari dhe nderimin e dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Sulmit ofensiv me artileri të rëndë i mbijetuan djali i Rifat Jasharit, Bashkimi, dhe vajza e Hamëz Jasharit, Besarta, e cila përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Ndërkohë, në Prekaz, pranë kompleksit memorial, është zbuluar mozaiku i komandantit legjendar Adem Jashari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina ka përcaktuar një prej buxheteve më të mëdha për…