KGjK-ja reagon ndaj deklaratave të ministres Haxhiu

07 maj 2021 | 14:25

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka reaguar ndaj deklaratave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila të enjten në një diskutim te “FOL Hapur”, ka thënë se ka pazare brenda KGjK-së.

“Janë futur në pazare për pozicionet e ardhshme, qoftë në këshillat përkatës, qoftë në Prokurorinë e Shtetit, sepse tash po fliten disa emra se kush do të jetë kryeprokuror i shtetit dhe si të bëhen pazare që të fitojë dikush në krye të Prokurorisë së Shtetit”, ka thënë Haxhiu.

KGjK – ja në një deklaratë për media ka shprehur pakënaqësi lidhur me këtë duke thënë se deklarimet e Haxhiut janë të pabazuara dhe e dëmtojnë rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Sipas KGJK-së këto deklarata bien ndesh me ndarjen e pushteteve dhe konsiderohen ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit.

“Bazuar në Kushtetutë e Ligj sistemi gjyqësor është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksionit të tij dhe gëzon pavarësi organizative, administrative e financiare për realizimin e detyrave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj, prandaj respektimi i pavarësisë dhe punës së gjyqësorit është obligim për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”.

“Zgjedhja në cilën do pozitë brenda sistemit gjyqësor nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), bëhet në mënyrë transparente dhe atë bazuar në Kushtetutë dhe ligji, në pajtim me parimet e meritës, mundësitë e barabarta, barazinë gjinore, mosdiskriminimin dhe përfaqësimin e barabartë nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë e vendorë si dhe standardeve më të larta profesionale”, është thënë në deklaratën e KGjK-së.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka thënë se siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të angazhohet për një sistem gjyqësor të pavarur, transparent dhe të paanshëm dhe se kërkon nga të gjithë të përmbahen nga deklaratat e tilla, por të angazhohemi që të punojmë bashkërisht me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bukuroshja kosovare që ka vazhduar pushimet e gjata në Dubai,…