Kica-Xhelili u kundërpërgjigjet kritikave për kalim në LDK
Anëtarja më e re e LDK-së, deputetja Doarsa Kica-Xhelili, në daljen e parë publike pas largimit nga Lista Guxo, u është përgjigjur kritikave për kalimin e saj në partinë e re.
Ajo në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas të LDK-së ka thënë se nuk ndihet e fyer me atë, siç u shpreh ajo, se të tjerët u përpoqën të tregojnë arsyet e largimit të saj nga Lista Guxo.
“Sot jam për herë të parë para jush në FG të LDK-së si një grua e LDK-së. Ditët që shkuan të tjerët u munduan që ta tregojnë të vërtetën time që nuk ka të bëjë fare me mua. Dhe jam e bindur se nuk do të jetë hera e fundit sikurse jam e bindur se jam larg shumë larg e të qenit gruaja e vetme në këtë sallë që dikush tjetër u mundua të tregojë biografinë e saj. Unë absolutisht nuk ndihem e fyer e lëre më e dobësuar nga kushdo që mendon se biografi e një gruaje në Kosovë mund të tregohet nga të tjerët. Nuk do të lejoj që biografia e secilës grua në Kosovë të reduktohet nga shoqëria dhe sistemi i drejtësisë”, ka thënë Kica-Xhelili.
Forumi i Gruas së LDK-së ka shprehur shqetësimin mbi numrin në rritje të dhunës ndaj grave dhe iu bë thirrje strukturave partiake që të përfshihen në hartimin e platformës politike për fuqizimin e grave me moton “Gra të fuqizuara, shtet i fuqishëm”.
Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmendur si shqetësim përqindjen e madhe të grave të cilat nuk janë aktive në tregun e punës. Ajo ka thënë se duhet punuar vazhdimisht për të përmirësuar pozitën e gruas në shoqëri.



