Kina shënon 70-vjetorin e sundimit komunist

01 tetor 2019 | 11:32

Kamionë që transportonin armë, përfshirë raketa bërthamore, parakaluan të martën në Pekin, për të shënuar 70-vjetorin e Kinës komuniste.

“Asnjë forcë nuk mund të lëkundë statusin e atdheut tonë dhe asnjë forcë nuk mund të ndalojë përparimin e popullit kinez dhe të kombit kinez”, ka thënë presidenti Xi Jinping.

Në Sheshin “Tiananmen”, ku mbajti fjalimin, ai ishte shoqëruar nga udhëheqës të tjerë kinezë, përfshirë kryeministrin Li Keqiang dhe ish-presidentët Hu Jintao dhe Jiang Zemin.

Ngjarja ka shënuar përvjetorin e 1 tetorit 1949, datë kur është themeluar Republika Popullore e Kinës nga lideri i atëhershëm, Mao Zedong.

Në kujtim të tij, Xi e ka mbajtur fjalimin të martën në vendin ku Mao kishte shpallur krijimin e Republikës, pas një lufte civile.

Xi hyri në një makinë të hapur dhe ka kaluar para dhjetëra rreshtave të kamionëve me raketa, transportuesve të blinduar dhe mjeteve të tjera ushtarake.

Ushtarët në helmeta dhe veshje luftarake brohorisnin: “Përshëndetje udhëheqës”, Xi përgjigjej: “Përshëndetje shokë”.

Parada ka nxjerr në pah zhvillimin e shpejtë të armëve kineze, që, sipas analistëve të huaj, mund t’iu afrohen raketave dhe dronëve të ShBA-së, Rusisë dhe Evropës.

Ushtria Çlirimtare e Kinës, më e madhja në botë, me dy milionë burra dhe gra në uniformë, gjithashtu është duke punuar në ndërtimin e avionëve luftarakë dhe në një brez të ri të nëndetëseve me energji bërthamore.

Një nga armët që është zbuluar të martën ishte “Dongfeng-17”, avion me kapacitet bërthamor, që, sipas analistëve, është krijuar për të manovruar me shpejtësi të madhe, shkruar “Rel”.

Një tjetër raketë e shfaqur, “Dongfeng-41”, besohet se ka rrezen e veprimit deri në 15 000 kilometra, çfarë do ta bënte raketën me rrezen më të gjatë të veprimit në botë.

Analistët kanë thënë se “Dongfeng-41” ka kapacitet për të bartur deri në dhjetë koka bërthamore, që do të godisnin caqe të ndryshme.

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm, Ushtria Çlirimtare e Kinës i ka pasur shpenzimet e dyta më të larta ushtarake në botë vitin e kaluar: 250 miliardë dollarë.

Shtetet e Bashkuara, me një forcë prej 1.3 milion njerëzish, kanë udhëhequr në shpenzime, më 2018, me 650 miliardë dollarë.

Kina ka rreth 280 koka bërthamore, krahasuar me 6 450 sa ka ShBA-ja dhe 6 850 sa ka Rusia.

Pekini ka thënë se dëshiron minimumin një parandalues të besueshëm bërthamor, porse nuk do të jetë i pari që përdor armët atomike në një konflikt.

Kina ka zhvilluar aftësi ushtarake “që mund të arrijnë kundërshtarët e mundshëm në gjithë globin”, ka thënë Agjencia amerikane e Inteligjencës së Mbrojtjes në një raport të publikuar në janar.

Megjithatë, përvjetori i së martës është përcjellë me protesta të dhunshme në Hong Kong, ku mijëra njerëz dolën në rrugë për të kundërshtuar, siç thonë, rritjen e kontrollit të Pekinit mbi shoqërinë dhe politikat e territorit të tyre.

Hong Kongu është pjesë e Kinës që nga viti 1997, por ka organizimin e vet të ligjit dhe qeverisjes, i njohur si “një shtet, dy sisteme”.

Në një fjalim në prag të festimeve të 70-vjetorit, presidenti Xi ka thënë se do të vazhdojë “të zbatoj plotësisht dhe me besnikëri” parimet e këtij sistemi.

Por, viteve të fundit, janë rritur kundërshtimet ndaj asaj që shihet si ndikim gjithnjë e më i madh i Pekinit në shoqërinë dhe politikën e Hong Kongut.

Në Hong Kong, tash e sa muaj, vazhdojnë edhe trazirat e shkaktuara nga disa ndryshime të propozuara në Ligjin e ekstradimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nga klubet më me traditë në basketbollin e Kosovës…