Selmani: Na duhet përkrahja e tifozëve

01 tetor 2019 | 11:25

Një nga klubet më me traditë në basketbollin e Kosovës është Trepça. Mitrovicasit gjithmonë kanë luftuar për trofe, edhe pse në vitet e fundit janë përballur me shumë vështirësi.

Trajneri i skuadrës, Ilir Selmani, ka folur për vështirësitë që kanë. “Përgatitjet i kemi filluar me vonesë për shkak se, siç dihet, në vitet e fundit jemi duke u përballur me kushte të rënda financiare dhe kjo është arsyeja pse Trepça ndodhet në këtë gjendje aktualisht. Është e vështirë që të punohet profesionalisht, sepse për dy-tri javë nuk mund ta përgatitësh skuadrën për një kampionat. Aktualisht kemi tre lojtarë të huaj në ekip dhe fatmirësisht i kemi mbajtur lojtarët vendorë përveç Samirit (Zekiqit) dhe jemi një numër i vogël i lojtarëve në rotacion, por në mesin e tyre janë edhe 3-4 lojtarë të rinj që vijnë nga grupmosha juniore, që mua si trajner më gëzon ky fakt. Jemi duke u stërvitur dhe po mendoj se janë duke shkuar mirë stërvitjet dhe shpresoj se do të jemi të gatshëm për kampionat, edhe pse jo në formën më të mirë të mundshme”, është shprehur Selmani për faqen zyrtare të FBK-së.

“Sa iu përket synimeve, me vetë faktin se në çfarë gjendje jemi aktualisht, ne do të mundohemi ta japim maksimumin e të bëjmë lojëra të mira, edhe pse do të kemi shumë vështirë, sepse të gjitha skuadrat kanë angazhuar nga 5-6 basketbollistë të huaj. Në këtë gjendje që jemi na duhet përkrahja maksimale nga qytetarët e Mitrovicës dhe nga tifozët tanë, ‘Torcida’, që ta tejkalojmë këtë gjendje, duke shpresuar në ditë më të mira për sportin mitrovicas, përkatësisht basketbollin, andaj i ftoj të gjithë të vijnë të na përkrahin”, ka shtuar Selmani.

Trepça në xhiron e parë ka pushuar, kurse të mërkurën do të përballet me Bashkimin.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dy ditë më…