Kina vazhdon përkrahjen dhe vlerësimin për Putinin

09 prill 2024 | 09:32

Kina në vazhdimësi po rrit arsyetimet e saj për të qëndruar në anën e Rusisë.

Kur nisi lufta në Ukrainë Kina u shpreh gati të shpjegojë pse nuk sheh nevojë urgjente për të ndaluar Rusinë – partnerin e saj më të ngushtë strategjik – nga vrasja e ukrainasve.

Argumenti më i zakonshëm u ndërtua mbi devijimin dhe anti-amerikanizmin. Siç thonë zyrtarët kinezë, Rusia po mbrohet kundër agresionit amerikan dhe një fushate të gjatë rrethimi nga NATO.

Kjo mbështetje e Kinës vazhdoj edhe sot.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha sot në Pekin në një takim me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov se Kina dëshiron të “forcojë bashkëpunimin strategjik” me Moskën, njoftuan mediat shtetërore ruse.

“Kina do të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të Rusisë nën udhëheqjen e (presidentit rus Vladimir) Putin,” tha Wang Yi, sipas RIA Novosti.

“Mbështetja e njerëzve është burimi i përparimit në Rusi. Unë besoj se nën udhëheqjen e vendosur të presidentit Putin, populli rus do të ketë një të ardhme të ndritur”, tha Wang Yi, transmeton Izvestia.

Lavrov falënderoi Pekinin për “mbështetjen” që i dha Presidentit Vladimir Putin pas rizgjedhjes së tij të fundit.

Presidenti kinez Xi Jinping ishte ndër të parët që e uroi Putinin, tha ministri i Jashtëm rus dhe falënderoi miqtë e tij kinezë për mbështetjen e tyre, transmeton Izvestia.

“Rezultatet e zgjedhjeve konfirmuan besimin e thellë të popullit rus në liderin tonë dhe në politikën aktuale të brendshme dhe të jashtme”, shtoi Lavrov, raporton RIA Novosti.

Kreu i diplomacisë ruse mbërriti të hënën për një vizitë dyditore në Kinë.

Pekini dhe Moska kanë intensifikuar bashkëpunimin ekonomik dhe kontaktet diplomatike në vitet e fundit, dhe partneriteti i tyre strategjik u forcua më tej pas pushtimit rus të Ukrainës.

E jo vec Rusia. Edhe partitë politike në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë po thellojnë bashkëpunimin me Partinë Komuniste të Kinës, në kohën kur Perëndimi është i shqetësuar me përpjekjet e Kinës për të shtrirë ndikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, bashkëpunimi i partisë në pushtet në Serbi është më intensiv sesa i atyre në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në korrik të vitit 2021, në takimin online të Partisë Komuniste të Kinës, me rastin e 100-vjetorit të themelimit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njëherësh lider i partisë në pushtet – Partia Përparimtare Serbe – tha se “një shekull i ekzistimit të Partisë Komuniste të Kinës është shekulli i ndryshimeve më të mëdha në historinë e njerëzimit”.

Fjalimin e tij, Vuçiq e mbajti nga selia e partisë së tij në praninë e rreth 300 zyrtarëve.

Vuçiq tha se nuk ka asnjë parti apo organizatë tjetër në botë që mund të mburret me rezultatet që i ka arritur Partia Komuniste e Kinës.

Sipas tij, më shumë se 700 milionë qytetarë kinezë kanë dalë nga varfëria dhe Kina, brenda disa dekadash, nga një vend në zhvillim, është bërë një superfuqi botërore.

Raportet mes dy partive në pushtet në Serbi dhe Kinë janë intensifikuar në vitet e fundit. Në qershor të vitit 2019, një delegacion prej 15 anëtarësh i Partisë Përparimtare Serbe bëri një vizitë studimore në Pekin, Nançang dhe Shangai – tri qendrat ekonomike dhe politike të Kinës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot shënohet 25-vjetori i betejës së Koshares, në të cilin…