
Kjo është gjakovarja që ia konfiskuan targat në Greqi – i denoncoi si të vjedhura sapo u kthye në shtëpi
Sinjali ka siguruar detaje të plota për një rast të pazakontë në Gjakovë, ku një grua ka tentuar të mashtrojë Policinë duke paraqitur një kallëzim të rremë për vjedhje, vetëm pak ditë pasi kishte hyrë në Kosovë pa targa.
Sipas burimeve të sigurta, më 13 maj 2025, rreth orës 14:10, Adelina Shehu, banore e Gjakovës, është paraqitur në Stacionin Policor duke raportuar se në mëngjesin e po asaj dite, rreth orës 08:15, kur kishte dalë tek vetura e saj VW Tiguan, kishte vërejtur se i mungonin targat, certifikata e regjistrimit të automjetit (CRA) dhe polisa e sigurimit. Ajo kishte deklaruar se dyshonte për vjedhje.
Pas raportimit, njësia e hetimeve në bashkëpunim me DIA-n kishte nisur verifikimet, dhe më 15 maj ka pranuar informatë të besueshme se vetura kishte hyrë në Kosovë më 12 maj, përmes pikës kufitare Han i Elezit, pa targa, pasi këto të fundit ishin konfiskuar më herët nga Policia greke për shkelje në territorin e tyre.
Hetuesit kanë siguruar incizime nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufijve, të cilat kanë konfirmuar qartë që vetura kishte hyrë pa targa, duke e rrëzuar kështu tërësisht pretendimin për “vjedhje”.
Pas këtyre zbulimeve, Adelina Shehu është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës, ndërsa me urdhër të prokurores kujdestare rasti është rikualifikuar nga “Vjedhje” në “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.
E dyshuara është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa Prokuroria ka nisur trajtimin penal të saj për raportim të pavërtetë në polici.