Kllokoqi: Sektori i gastronomisë është duke e vuajtur këtë pandemi, kërkojmë mbështetjen e shtetit

20 korrik 2020 | 16:23

Subvencionimi i pagave, i qirave dhe riprogramimi i kredive janë disa nga kërkesat që gastronomet e Kosovës kërkojnë nga Qeveria për mbështetjen e tyre gjatë pandemisë Covid-19.

Petrit Kllokoqi nga Shoqata e Gastronomeve të Kosovë në një konferencë për medie, ka deklaruar se reflektimi i shtetit ndaj këtij sektori në këtë kohë të pandemisë është shumë i zbehtë.

“Ne e kemi bërë këtë mbledhje edhe këtë thirrje për Qeverinë e Kosovës që të janë bashkëpunues. Gastronomet janë të parët që u mbyllëm dhe të fundit që u hapëm. Reflektimi i shtetit ndaj neve është shumë i zbehtë dhe për këtë e kemi bërë një mbledhje që t’i propozojmë Qeverisë një bashkëpunim”, u shpreh Kllokoqi.

Ai po ashtu ka thënë se ky sektor është duke funksionuar me vetëm 10 për qind të qarkullimit.

“Gastronomia është duke e vuajtur këtë pandemi. Mund të themi se jemi në një sëmundje ekonomike, ku jemi të prekur të gjithë. Jemi duke punuar me 50 për qind më pak. Distancën që e kemi krijuar jashtë, na ka humbur edhe 20 për qind të qarkullimit, plus edhe shkurtimi i orarit na ka reduktuar për 20 për qind, ku ne jemi duke funksionuar me 10 deri 15 për qind të qarkullimit, ndërsa shpenzimet i kemi të pranishme të gjitha. Të hyrat tona janë të vogla dhe jemi në prag të falimentimit”, u shpreh ai.

Kllokoqi kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mbështetet financiarisht ky sektor. “Po kërkojmë lehtësim financiar. Ne sot jemi mbledh për të kërkuar subvencionimin e pagave, ku na kanë dhënë vetëm nga 170 euro lëmosh, e që nuk e kanë vazhduar. Po kërkojmë subvencionim të qirave për 50 për qind, po kërkojmë riprogramim të kredive, po kërkojmë shtyrje të deklarimit të tatimeve për së paku për tre muaj. ATK është duke shtuar presionin ndaj neve. Të hyrat tona kanë ra, kurse të hyrat tona kanë ra, kurse nuk po e marrim përkrahjen nga shteti. Ku në të ardhmen kërkojmë edhe uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, ka thënë pos tjerash Kllokoqi.

Sipas tij, duhet të riprogramohet Manuali i Ministrisë së Shëndetësisë që e prek këtë sektor.

“Po ashtu, kërkesë tjetër është edhe riporgramimi i manualit. Duhet të ulemi së bashku dhe të rishikojmë. Ne mendojmë se riprogramimi duhet të bëhet në bazë të metrave katrorë”, u shpreh ai.

Ai tutje ka thënë se nuk pajtohet me pohimin e kryeministrit Avdullah Hoti se ky sektor e ka përhapur virusin Covid-19. “Nuk pajtohem me pohimin e kryeministrit Avdullah Hoti që gastronomia e ka përhapur virusin. Ne jemi familje edhe ne nuk dëshirojmë ta dërgojmë virusin në shtëpitë tona. Për këtë bëjmë thirrje, nëse lirohen në të ardhmen masat, kontrollin le ta bëjë shteti. Ne jemi për t’i respektuar rregullat”, u shpreh Kllokoqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar bashkërendim…