Klopp: Unitedi luajti pak futboll

20 janar 2020 | 23:38

Do të kishte preferuar një fitore më të thellë për t’i shmangur pulsin që po çmendej, por Jurgen Klopp i beson verbërisht skuadrës së tij, që nuk e ka lënë asnjëherë në baltë këtë sezon.

“Është një çlirim i madh. Jam shumë i kënaqur me 85-90% të ndeshjes, ishim të shkëlqyer. Dominuam, veçanërisht në pjesën e parë. Do të kisha preferuar 2, 3, 4-0 pas 60 minutash, do të na bënte mirë për nervat. Nivelet e energjisë që dhamë në fushë ishin të pabesueshme. Në një ditë normale do të kishim shënuar tri herë në pjesën e parë. Por, në pjesën e dytë Unitedi tregoi se ka natyrisht kualitet. Luajti pak më shumë futboll dhe neve na u desh të mbroheshim. Bëmë tek-tuk ndonjë gabim. Nuk e shfrytëzuam mirë zotërimin e topit, prandaj ndeshja mbeti e hapur. Pastaj shënuam një gol të mrekullueshëm në fund”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, i cili vijon më tej: “Çfarë ndeshjeje kundër një rivali me cilësinë e Unitedit. Ole do të thotë të njëjtën gjë, që ata donin që ta shpërqendronin lojën tonë, të mbronin dhe kundërsulmonin. Ata patën rastet e tyre dhe luajtën futboll, por jo për shumë kohë”.

Tifozët në “Anfield” po këndonin “Ne do ta fitojmë titullin”, por Klopp qëndron me këmbë në tokë kur pyetet nëse tani askush nuk mund t’i arrijë: “Ata mund ta këndojnë atë, mendoj se e kanë bërë edhe disa herë në të shkuarën. Nuk kam asnjë problem me këtë. Të gjithë duhet ta festojnë situatën, përveç nesh. Asgjë nuk ka ndryshuar. Jemi në të njëjtën situatë me tri pikë më shumë. Do t’ua them menjëherë momentin kur të ndihet ndryshe, por për momentin nuk ndihet. Unë nuk e di nëse do të na kapin apo jo. Nuk më intereson. Në mendjen time është vetëm Premier Liga. Luajmë ndaj Wolves të enjten, është kjo sfida e radhës. Nuk kam mjaftueshëm hapësirë në tru për të menduar për gjëra të tjera. Nga tani e tutje do të hyjmë në ritmin e ndeshjeve çdo tri ditë. Është një periudhë e vështirë. I kuptoj disa rënie përqendrimi. Në të shkuarën do të isha çmendur, por tani jam i qetë. Më pëlqen futbolli që luajmë dhe atmosfera. A më surprizojnë lojtarët me nivelin që po ruajnë? Të jem i sinqertë, jo. I shoh gjatë javës në stërvitje dhe nuk jam i befasuar”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati u shpreh optimist në…