Klubi i Prodhuesve memorandum bashkëpunimi me Odën Ekonomike të Kosovës

07 nëntor 2018 | 11:06

Klubi i Prodhueseve të Kosovës ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës për promovimin e eksportit dhe tërheqjen e investimeve të huaja, që kanë për synim rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve prodhuese kosovare dhe ekonomisë vendore.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, është shprehur i kënaqur me fillimin e këtij bashkëpunimi në mes të këto dy institucioneve.

“Ne, si Klub i Prodhuesve e shohim Odën si institucionin më të lartë ekonomik i cili duhet të shtyjë përpara fuqizimin e prodhimit në vendin tonë. Ne do të jemi aleat dhe bashkëpunues në prezantimin e Kosovës si një vend në të cilin mund të investohet. Bashkërisht me Odën Ekonomike do të shfrytëzojmë rrjetet tona për promovimin e eksportit si në vendet e Bashkimit Evropian, SHBA dhe në Lindje të Mesme”, ka deklaruar Panxha.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka theksuar se ky memorandum është fillimi i një bashkëpunimi të përbashkët për të krijuar kushte më të mira për kompanitë vendore.

“Kështu, me angazhime konkrete do të mundohemi që së bashku të bëjmë promovimin e investimeve dhe eksportit si dhe krijimin e vende të reja të punës”, ka thënë Rukiqi.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit të dy palët po ashtu përkrahën vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për miratimin e vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina të ju vihet taksë prej 10 për qind.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi dhe kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku, e vlerëson ndeshjen…