KMDLNj-ja: Çdo i ftuar nga Gjykata Speciale duhet të informohet se në çfarë cilësie po thirret

12 dhjetor 2018 | 13:31

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj ftesave të Gjykatës Speciale për intervistimin e ish-komandantëve dhe eprorëve të UÇK-së.

Ky këshill ka vlerësuar se çdo i ftuar nga Gjykata Speciale ka të drejtë ta dijë se në çfarë cilësie po ftohet.

“Deri më tani, nga 7 ftesa për intervistim kemi vetëm një rast kur tregohet cilësia për çka ftohet ndërsa në rastet tjera nuk veprohet në përputhje me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara dhe Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive Themelore të Njeriut, Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike si dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, në mungesë të informimit për cilësinë e statusit për çka është ftuar dhe në mungesë të marrëveshjes midis autoriteteve të Gjykatës Speciale dhe personit të ftuar, personat e ftuar nuk bëjnë asnjë shkelje të ligjit nëse nuk i përgjigjen pozitivisht ftesës për intervistim.

“KMDLNj-ja fton të gjitha palët të përmbahen nga publikimi i listave se kush mund të ftohet, në çfarëdo cilësie para kësaj Gjykate apo se kush mund të arrestohet sepse kota janë vlerësime dhe qëndrime arbitrare e që shkaktojnë huti në opinion duke shqetësuar personat e apostrofuar dhe familjet e tyre. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë e përkrah çdo gjykatë që i trajton viktimat si viktima, pa bërë dallime në baza etnike, gjinore, moshore, bindjeve politike apo statusit shoqëror sikur që kërkon përgjegjësi për të gjithë ata që planifikuan krimin, nuk e penguan krimin ndonëse kishin detyrim apo mundësi, urdhëruan krimin (niveli politik) apo e zbatuan krimin (hierarkia ushtarake dhe policore) gjithashtu, pa bërë dallim në çfarëdo baze”, është thënë në këtë reagim.

KMDLNj-ja ka ftuar të gjithë ata që thirren nga Gjykata Speciale e që e kanë të qartë në çfarë cilësie ftohen, të paraqiten vullnetarisht, të bashkëpunojnë me këtë gjykatë për zbardhjen e krimeve të pazbardhura në mënyrë që të sigurohet drejtësi për viktimat (për të gjitha dhe jo në mënyrë selektive) sikur edhe të sigurohet përgjegjësi për të gjithë ata që u dëshmohet fajësia, përtej dyshimeve të bazuara.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Jakup Krasniqi (Qeveritarëve të Serbisë dhe Vuçiqit duhet t’ju…