KMDLNj kërkon marrëveshje politike për tejkalim të situatës!

05 nëntor 2020 | 16:58

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar marrëveshje politike për tejkalimin e situatës në të cilën ndodhet Kosova, pas konfirmimit të aktakuzave kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“KMDLNj thërret të gjitha subjektet politike të Kosovë që deri në një situatë kur vlerësohet se është tejkaluar gjendja e imponuar të përmbahen nga përpjekjet për rrëzim të qeverisë. Konsensusi midis partive politike mund të krijojë kushte dhe mundësi për zgjedhje të reja apo të propozojnë një president /e , pa pasur nevojë të provokohet një krizë tjetër”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

Konfirmimi i aktakuzave ndaj ish udhëheqësve dhe themeluesve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, nga kontabilistët e politikës ndërkombëtare seriozisht e ka përkeqësuar situatën politike e cila edhe ashtu ka qenë e brishtë për shkak të mungesës së votës për vendimmarrje në proceset nëpër të cilën po kalon Kosova.

Edhe para kësaj situate ishte një ndarje e madhe midis pozitës dhe opozitës kurse, tani e kemi një gjendje edhe më të vështirësuar.

Presidenti i dorëhequr Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si edhe shefi i grupit parlamentar të LV-së, Rexhep Selimi me asgjë nuk e kundërshtuan vendimin e Gjykatës Speciale prandaj arroganca e Policisë së Gjykatës Speciale dhe vet arrestimi i Jakup Krasniqit ishte i panevojshëm në mënyrë si u bë.  Të gjithë këta, tash të arrestuar përveç dorëheqjes i bënë thirrje qytetarëve të Kosovës të qëndrojnë të qetë dhe të mos ndërmarrin asnjë veprim që do ta dëmtonte Kosovën.

Deri më tani nga teknologët e politikës ndërkombëtare janë prekur PDK, LV dhe NISMA e që më vonë mund të preken edhe subjekte tjera. Në këtë kontekst KMDLNj kërkon nga subjektet politike në Kosovë të ndalin akuzat dhe luftën politike dhe të bëjnë përpjekje që përmes një konsensusi politik të kontribuojnë në tejkalimin e situatës së krijuar dhe të imponuar.

Për këtë, si nismë të mirë dhe të domosdoshme e që duhet të përkrahet është propozimi i AAK-së për faktin se çdo shtet që përballet me këtë situatë do të kishte kërkesa të ngjashme.

KMDLNj thërret të gjitha subjektet politike të Kosovë që deri në një situatë kur vlerësohet se është tejkaluar gjendja e imponuar të përmbahen nga përpjekjet për rrëzim të qeverisë. Konsensusi midis partive politike mund të krijojë kushte dhe mundësi për zgjedhje të reja apo të propozojnë një president /e , pa pasur nevojë të provokohet një krizë tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të krijojë të gjitha mundësitë për të akuzuarit të kenë mbrojtje efektive dhe profesionale sikur edhe të përkrahin familjet e tyre në rast se ato kanë nevojë për të vizituar të arrestuarit e Gjykatës Speciale.

Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për menaxhim të përballueshëm të situatës dhe në konsultim me të gjitha subjektet politike të bëjnë përpjekje për arritjen e një konsensusi politik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Werder Bremen nuk do të lejojë që Milot…