KMDLNj kërkon nga qytetarët të mos i paguajnë humbjet e KEDS-it (Video)

23 gusht 2018 | 12:13

Vendimi i fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) që humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e KEDS-it të faturohen me miliona euro të konsumatorët e përgjegjshëm, është konsideruar joligjorë, i turpshëm dhe i papranueshëm.

Zyrtarët e KEDS-it kanë thënë se kjo çështje është normale, pasi një gjë e tillë ndodhë në gjithë botën.

Por, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, ka thënë se për “Kosovapress” se ZRrE-ja asnjëherë nuk ka marrë ndonjë vendim në dobi të konsumatorit por gjithmonë në dobi të KEDS-it dhe kompanive tjera.

Ai ka thënë se në rastin konkret konsumatori nuk e ka asnjë detyrim t’i mbulojë humbjet e KEDS-it.

Ndërsa kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë për “Kosovapress”, se mbulimi i vjedhjeve në rrjetin e KEDS-it, nuk ka asnjë kuptim, sepse qytetari konsumator i ndershëm nuk ka asnjë fije përgjegjësie për to.

Ai ka thënë se ZRrE-ja me këto veprime po i detyron konsumatorët të rebelohen dhe të mos paguajnë as një faturë.

Në anën tjetër zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se humbjet e energjisë elektrike, qofshin ato teknike dhe vjedhje, viteve të fundit janë faturuar ndaj konsumatorëve të përgjegjshëm të KEDS-it, dhe do të vazhdojnë të faturohen edhe më tej, sepse sipas tij, kjo është normale dhe ndodhë në çdo vend të botës.

Buzhala ka shtuar se pjesa më e madhe e humbjeve janë keqpërdorime të energjisë elektrike, përkatësisht vjedhjet janë pjesa më e madhe.

Më tutje, zyrtarë të ZRrE-së kanë pohuar se bëhet fjalë për miliona euro për mbulimin e shpenzimeve.

Në vendimin e fundit të bordit të ZRrE-së, është thënë se sa i përket nivelit të lejuar të humbjeve për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (OSTT), bordi ka vendosur që të jetë i njëjtë me atë që është aktualisht në vlerë prej 1.78 për qind.

Për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSh) në dy vitet e para të periudhës do të jetë 18.8 për qind për të vazhduar në tri vitet e tjera me 17.6, 16.4 dhe 15.1 për qind.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dyqind (200) familje nga Komuna e Skenderajt që shfrytëzojnë asistencën…