KMDLNj kundërshton Specialen për moslirimin e ish-krerëve të UÇK-së

28 janar 2021 | 14:58

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për moslirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në reagimin për media, KMDLNj ka kundërshtuar vendimin e gjykatësit Nicolas Guillou për vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Salih Mustafën.

“Gjykatësi i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou, sipas parimit ‘hip se të vrava, zhdryp se të vrava’, po i refuzon të gjitha kërkesat e avokatëve të të akuzuarve, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, Salih Mustafa, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selim dhe Kadri Veseli, për t’u mbrojtur në liri. Nuk ka argument që e ofrojnë avokatët mbrojtës e që nuk refuzohet nga ky gjykatës, që lehtësisht mund të dyshohet për pjesëmarrje në rrjedhje të dosjeve të ndjeshme që kanë përfunduar para zyrave të OVL-së së UÇK-së, pas të cilit veprim u arrestuan Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, me arsyetimin se, duke e zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, seriozisht po e rrezikojnë jetën e këtyre dëshmitarëve dhe familjeve të tyre. Po të kishin bërë hetime brenda Gjykatës Speciale për rrjedhje të dosjeve të ndjeshme dhe po të ishin ndërmarrë veprime ligjore ndaj atyre që i kanë dërguar këto dosje në zyrat e OVL-së së UÇK-së, atëherë edhe do të arsyetohej arrestimi i krerëve të OVL-së së UÇK-së. Mirëpo, pasi nuk ishte bërë asnjë hetim dhe askush nga stafi i Gjykatës Speciale në Hagë nuk është marrë në përgjegjësi, arrestimin e Hysni Gucatit dhe të Nasim Haradinajt, KMDLNj-ja e konsideron vetëm si pretekst për arrestimin e krerëve institucionalë dhe të UÇK-së”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, dosjet e kontrabanduara nga Gjykata Speciale, qoftë se janë shitur me një çmim të majmë, që janë dhënë për qëllime politike apo të tjera, kanë shërbyer si përshpejtuese për arrestimin politik, pasi kanë prodhuar efekte dhe pasoja të drejtpërdrejta politike të Hysni Gucatit, Nasim Haradinajt, Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit.

“Rrjedhja e dosjeve top-sekrete nga Gjykata Speciale është punë e një grupi të organizuar kriminal e që deri më tani nuk është zbuluar për faktin se as që janë bërë përpjekje të zbulohet. Motivi pse e kanë bërë këtë nuk dihet derisa nuk zbulohet ky grup kriminal brenda Gjykatës Speciale. Të dyshuar për këtë veprimtari kriminale që skajshmërisht e rrezikon jetën e dëshmitarëve të kësaj gjykate janë të gjithë të punësuarit në këtë gjykatë, nga kryeprokurori Jack Smith e deri te gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou. Për këtë arsye është dashur të bëhen hetime në mënyrë që të zbulohet adresa e përgjegjësisë. Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati janë viktima të manipulimit nga Gjykata Speciale që i ka lëshuar në qarkullim dosjet e ndjeshme”, është thënë në këtë reagim.

KMDLNj ka theksuar se Nicolas Guillou si dhe Jack Smith, në kërkesën për caktim të paraburgimit si dhe në vendimin për refuzim të lirimit për të paraburgosurit, argumentin kryesor e kanë rrezikimin e jetës së dëshmitarëve të mbrojtur dhe të dëshmitarëve vullnetarë të Gjykatës Speciale.

“Pikërisht Gjykata Speciale, me livrimin e dosjeve të ndjeshme të kësaj gjykate, për motiv të panjohur, përveçse mund të paragjykohet, në mënyrën më të vrazhdë dhe të drejtpërdrejtë e ka rrezikuar jetën e dëshmitarëve të mbrojtur. Në anën tjetër, po kjo prokurori dhe gjykatë në çdo kërkesë dhe arsyetim të vendimit përmendin emra dhe mbiemra të personave që kanë dhënë intervista apo prononcime që këta e vlerësojnë se mund të përdoren si dëshmi dhe në këtë mënyrë ua rrezikojnë jetën drejtpërdrejt. Rasti më flagrant është i ish-këshilltarit të Albin Kurtit, prononcimet e të cilit prokuroria dhe Gjykata Speciale i përdorin si argumente kyçe për t’i mbajtur në burg ish-krerët e UÇK-së, duke ua rrezikuar jetën si dhe duke rrezikuar jetën e familjeve të tyre. Ky manipulim i prokurorisë dhe Nicolas Guillout profesionalisht është i dëmshëm, kurse moralisht i ulët sepse në njërën anë kinse përpiqet ta mbrojë identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, në anën tjetër, duke përsëritur, me emër dhe mbiemër secilin që i shkon në favor, i shndërron në shënjestra që rrezikohen 24 orë dhe të cilët nuk janë fare të mbrojtur”, theksohet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas KMDLNj-së, as Prokuroria e as Gjykata Speciale nuk kanë të drejtë t’i keqpërdorin deklaratat dhe prononcimet e personaliteteve publike siç po bëjnë tani, duke ua rrezikuar jetën drejtpërdrejt, sepse po i cilësojnë si persona që po i mbajnë në burg ish-krerët e UÇK-së e që nuk është fare e vërtetë.

“Dhe, si argument i fundit e të cilin KMDLNj e konsideron paragjykim të tmerrshëm dhe në kundërshtim me parimin e prezumimit të pafajësisë, është fakti se edhe prokurori Jack Smith, në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit, sikur edhe gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, në arsyetimin për refuzimin e lirimit, deri në gjykim deklarojnë se mund të dënohen me burgim të përjetshëm, ndonëse gjykimi as që ka filluar. Nëse prokurori edhe mund të kërkojë këtë dënim, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, nuk mund t’i nënshtrohet paragjykimit pa përfunduar ende gjykimi. Siç po shkojnë punët, kur e ashtuquajtura Gjykatë Kushtetuese e Gjykatës Speciale dhe një institucion, për fat të keq, i quajtur Ombudsperson, nuk po reagojnë fare dhe nuk po bëjnë asnjë veprim për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut, qoftë ato të personave të privuar nga liria, kërcënimet e kryeprokurorit Jack Smith dhe gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, nuk mund edhe të merren si paragjykime, por seriozisht duhet të konsiderohen qëllime të tyre, pavarësisht prej mjeteve për realizim të atyre qëllimeve e që janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut!”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse u bënë disa ditë që ai është larguar…