KMDLNj mbështet vendimin e Gjykatës së Apelit për hetuesit e IPK-së

25 shtator 2018 | 10:31

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka përkrahur vendimin e Gjykatës së Apelit për hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Ky vendim, sipas këtij këshilli, është dëshmi se hetuesit e IPK-së ishin pranuar në mënyrë të rregullt, pas një procesi të rregullt rekrutimi.

“Pas ndërhyrjes flagrante, të kundërligjshme e që përmban elemente të veprës penale të ish-ministrit të MPB-së, z. Flamur Sefaj ndaj një institucioni të pavarur siç është Inspektorati Policor i Kosovës, duke e anuluar arbitrisht konkursin për hetues të IPK-së dhe në këtë mënyrë ua mohuan të drejtat ligjore dhe njerëzore të kandidatëve që në një proces të rregullt monitorimi (të monitoruar nga KMDLNj), e fituan të drejtën e punës. Pikërisht në ditën kur kandidatët ishin ftuar t’i nënshkruajnë kontratat, ish-ministri Sefaj e anuloi konkursin duke i bërë presion ish-kryeshefit të IPK-së, Hilmi Mehmeti ,dhe duke e vënë në situatë të palakmueshme ndaj vartësve të tij. Më vonë, ish-kryeshefit të IPK- së i montuan një proces pas së cilës e shkarkuan pa i dëshmuar fare shkelje ligjore apo përgjegjësi penale”, është thënë në komunikatën e KMDLNj-së.

“KMDLNj menjëherë pas anulimit të konkursit e pati bërë një reagim publik i cili e dënonte vendimin e kundërligjshëm dhe arbitrar të ish ministrit Sefaj i cili pastaj u “dorëheq”, pa dyshim nën presion dhe urdhra politike për shkak të kidnapimit dhe deportimit, përkundër të gjitha konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ligjeve të vendit, gjashtë (6) shtetas turq, me leje të rregullt pune dhe qëndrimi në Kosovë. Edhe gjatë takimit me ish-ministrin e MPB-së, z. Flamur Sefaj, KMDLNj i bëri me dije se ndërhyrja e tij ndaj institucionit të pavarur IPK-së është e kundërligjshme, e dënueshme dhe për pasojë, si akt moral, ministri do të duhej të dorëhiqej, apo nëse refuzon ta bëje këtë, atëherë do të duhej të shkarkohej. Ish-ministri Sefaj kishte bërë akuza ndaj KMDLNj-së dhe Avokatit të Popullit që e gjykonin këtë vendim arbitrar dhe dërgonte porosi kërcënuese”, thuhet në vazhdimin e kësaj komunikate.

“Përveç kësaj, dhe pas kësaj, në ankesat e hetueseve të IPK-së e që ishin pranuar në një konkurs të rregullt, KMDLNj i këshillonte të kërkonin të drejtat e mohuara padrejtësisht nga ministri Sefaj, në institucionet gjyqësore duke iu dhënë përkrahje publike dhe duke mos dyshuar se ata do t’i realizojnë të drejtat e tyre. Vendimi i Gjykatës së Apelit është vendim i drejtë dhe dëshmi se hetuesit e IPK-së ishin pranuar në mënyrë të rregullt, pas një procesi të rregullt rekrutimi, është një satisfakcion për punën e KMDLNj-së dhe Avokatit të Popullit si dhe një porosi e qartë se çdo ndërhyrje arbitrare për qëllime politike apo të tjera do ta merr përgjigjen e duhur dhe të merituar nga gjyqësori”, është theksuar në komunikatën e KMDLNj-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ajo është e njohur për paraqitjet e saj publike me…