KMDLNJ: Mbyllja e lojërave të fatit nuk po jep rezultatet e pritura

20 qershor 2019 | 15:21

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNJ) ka bërë me dije se mbyllja e lojërave të fatit nuk po jep rezultatet e pritura.

Përmes një reagimi për medie, ky këshill ka vlerësuar se me mbylljen arbitrare të kazinove dhe lojërave të fatit po stimulohet ekonomia informale për faktin se tani ka kazino dhe lokacione të lojërave të fatit që ushtrojnë aktivitetin ilegalisht.

“Disa kazino dhe lojëra tjera të fatit kanë zhvendosur aktivitetin e tyre në Maqedoninë e Veriut, afër kufirit me Kosovën sikur që e bëjnë transportin gratis nga Kosova e që nënkupton se kemi dëm të dyfishtë; qytetarët e Kosovës vazhdojnë të frekuentojnë kazinotë dhe lojërat e fatit (në Maqedoninë e Veriut) kurse autoritetet maqedonase vjelin taksat nga biznesi dhe qytetarët e Kosovës”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNJ gjithashtu ka vlerësuar se mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit mund të ketë efekt momental gjë edhe që sipas tyre, u dëshmua nga muaji mars pas mbylljes së tyre. “KMDLNJ ka kërkuar dhe kërkon përgjegjësi nga ata që kanë lejuar që kazinotë të punojnë pa licencë një kohë të gjatë sikur që kërkon që këto kazino dhe lojëra të fatit të detyrohen të paguajnë taksa dhe tatime në mënyrë retroaktive, një pjesë e së cilës pastaj do të shkonte familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre nga ky aktivitet ilegal, për fat të keq i lejuar nga vet shteti. KMDLNJ nuk sheh vullnet nga institucionet që të merren në përgjegjësi personat përgjegjës që kanë lejuar një aktivitet ilegal për një kohë aq të gjatë me ç’rast buxheti i Kosovës është dëmtuar dhjetëra e qindra milionë euro. Gjithashtu, KMDLNJ beson se mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit nuk mund të afatizohet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ky pezullim nuk mund të zbatohet gjeneralisht por vetëm në raste të caktuara, sikur që veprohet edhe për bizneset tjera. Vendimi për ndalimin e kohëzgjatjes mund të merret vetëm pas një vendimi të formës së prerë të gjykatës përkatëse e jo me vendim politik”, është thënë në reagimin për medie të KMDLNJ-së.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kampionia e Kosovës në futboll, Drita ka arritur të transferoi…