KMDLNj për rrymën në veri: Edhe sa milionë do t’i marrin nga taksat tona

24 nëntor 2021 | 15:34

Nga dhjetori i vitit të kaluar e deri më 16 nëntor 2021, Qeveria dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) kanë paguar për rrymën e shpenzuar në veri të vendit në vlerë prej 27.7 milionë euro.

Lidhur me këtë, ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), sipas të cilit një gjë e tillë paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut si dhe diskriminim në baza etnike.

KMDLNJ vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë diskriminim pozitiv vetëm duke u mbështetur në gjendjen ekonomike të qytetarëve, dhe në asnjë mënyrë në baza etnike. Ndërkohë që ka ftuar deputetët që ngritën kundër këtij diskriminimi. “Kjo sipas KMDLNJ–së paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut si dhe diskriminim në baza etnike. Në një shtet ku, si vlera demokratike dhe qytetare proklamohen barazia para ligjit dhe politika e mosdiskriminimit, të ndodhë kjo që po ndodhë me faturat, është tepër e pamoralshme, e papranueshme dhe e dënueshme. Është e vërtetë se Qeveria aktuale e Kosovës, këtë dukuri diskriminuese e ka trashëguar nga qeveritë paraprake, mirëpo nuk mund dhe nuk duhet ta përdorë si arsyetim për mosveprim ndaj këtij aparteidi të drejtave civile dhe sociale që ua bënë qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

“Është e paturpshme, cinike dhe skajshmërisht e pamoralshme deklarata e një zyrtareje të lartë të shtetit se ‘me këto fatura po e paguajmë sovranitetin për atë pjesë të Kosovës…’, aq më parë që pikërisht përfituesit e këtij diskriminimi janë mohuesit më të mëdhenj të këtij sovraniteti, duke i shërbyer një shteti skajshmërisht armiqësor ndaj shtetit të Kosovës. A është e drejtë dhe e moralshme të shpërbleni mohuesit e sovranitetit të Kosovës duke ua vjedhur paratë kontribuuesve, ndërtuesve dhe mbrojtësve të sovranitetit të Kosovës?! Asnjë shtet dhe vend normal nuk do ta lejonte këtë e lëre më ta bëjë këtë”, vijon reagimi.

Sipas KMDLNJ-së, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë diskriminim pozitiv vetëm duke u mbështetur në gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka…