Kolegji AAB organizoi konferencën për evropianizimin në shtetet e Ballkanit Perëndimor

25 tetor 2021 | 12:26

Mbi 100 pjesëmarrës nga vendi rajoni dhe bota, kanë prezantuar rreth 80 punime shkencore në kuadër të konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare, që u mbajt virtualisht në Kolegjin AAB.

Konferenca “Evropianizimi, orientimi perëndimor dhe formimi i identitetit në shtetet e Ballkanit Perëndimor” u cilësua shumë e rëndësishme pasi Kosova po mëson rrugën e shteteve të anëtarësuara tashmë në Bashkimin Evropian.

Në hapje të konferencës, rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha ka thënë se organizimet e këtilla dëshmojnë përkushtimin dhe një nga prioritetet e mëdha të Kolegjit AAB për zhvillimin e shkencës.

“Besoj se kjo konferencë do të japë një kontribut të madh edhe jashtë kufirit të Kosovës për shkak se tema është komplekse dhe disi e mbulon territorin e Evropës Juglindore”, ka theksuar Demjaha.

Për rëndësinë e konferencës foli edhe prorektorja për kërkim shkencor, Uranela Demaj, e cila tha se kjo konferencë bëhet edhe më e rëndësishme për arsye se po i bënë bashkë disa partnerë shumë të shquar nga jashtë, kryesisht nga Bashkimi Evropian. “Për herë të parë në historinë e Kolegjit AAB e kemi partner edhe Universitetin e Bolonjës. Konferenca është e rëndësishme sepse përçon mesazhin e bashkimit dhe të ndërkombëtarizimit”, ka deklaruar Demaj.

Ndërsa prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, Venera Llunji duke folur për organizimin e kësaj konference ka theksuar edhe rezultatet e pritshme të saj.

“Për ne ka shumë rëndësi të shohim se cilat janë qasjet të cilat ndikojnë dhe ndihmojnë në forcimin e identitetit të një shteti duke marrë parasysh që Kosova është shtet i ri. Asaj i duhet të krijojë identitetin e saj shtetëror, që do të thotë duhet të shohim se në çfarë rrugësh Kosova ecën që të jetë shtet i fortë në të gjitha aspektet e saj”, ka pohuar Llunji.

Në sesionin plenar të konferencës, i cili zgjoi interesim te pjesëmarrësit referuan emra të njohur të shkencës nga universitete prestigjioze në botë, si: Prof.dr. Raymond Detrez, Ghent University nga Belgjika, prof.dr. Pal Kolsto, University of Oslo nga Norvegjia, prof.dr. Ines Aquile Junyent, Catalonia University nga Spanja, e prof.assoc.dr. Besnik Pula, Virginia Tech, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konferenca “Evropianizimi, orientimi perëndimor dhe formimi i identitetit në shtetet e Ballkanit Perëndimor” zhvilloi punimet në 11 panele të veçanta, ku u trajtuan në aspektin shkencor problematika që kanë të bëjnë me çështje politike, ekonomike, kulturë, identitet, art, etj..

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Debatet në BBV nuk kanë të ndalur. Janë vajzat ato…