Kolegji Iliria: KShC-ja nuk mund të jetë mbi ligjin!

18 korrik 2019 | 19:43

Kolegji “Iliria” përmes një letre të hapur drejtuar presidentit, Kuvendit, Qeverisë, institucioneve të drejtësisë, përfaqësive diplomatike dhe shoqërisë civile, ka kritikuar vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Sipas këtij kolegji, KShC-ja s’mund të jetë mbi ligjin.

Reagimi i plotë i Kolegjit “Iliria”:

KSHC NUK MUND TË JETË MBI LIGJIN!

Letër e hapur drejtuar Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, institucioneve të drejtësisë, përfaqësive diplomatike dhe shoqërisë civile

Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk mund të jetë mbi ligjin.

Kolegji ILIRIA është i shqetësuar me vendimin e fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) për mosakreditim institucional.

Duke vlerësuar gjithë rrjedhën e procesit, konsiderojmë se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka bërë shkelje të shumta ligjore.

Kolegji ILIRIA në vazhdimësi ka njoftuar KSHC-në dhe Agjencinë e Kosovës për Akreditim për të gjitha shkeljet ligjore dhe procedurale të cilat janë bërë.

Agjencia e Kosovës për Akreditim, për vlerësimin institucional të Kolegjit ILIRIA ka angazhuar znj. Anca Prisacariu në cilësinë e ekspertes. Ky angazhim i saj është bërë në kundërshtim me kriteret e Nenit 13 të Udhëzimin Administrativ 15/2018, për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë (UA 15/2018).

E njejta nuk ka punuar si profesor në universitet dhe rrjedhimisht nuk ka plotësuar shumë nga kriteret e përcaktuara sipas këtij Udhëzimi Administrativ. Në përvojën e saj të punës, ndër tjerash nuk theksohet askund se ka përvojë në mesimdhënie universitare, apo përvojë në zhvillimin, realizimin dhe vlerësimin e kurrikulave.

Kolegji ILIRIA, duke parë sjelljet e saja joprofesionale gjatë vizitës, ka bërë menjëherë ankesë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si dhe njëkohesisht ka kërkuar zyrtarisht që AKA të dorëzojë CV-në e saj. Këtë CV e kemi pranuar zyrtarisht nga AKA me 16 Korrik 2019.

Poashtu, në kundërshtim me Nenin 17, Pika 6 e UA 15/2018, e njejta pas përfundimit të vizitës për akreditim në Kolegjin ILIRIA, raportin e ka dorezuar me vonese pas dy muajsh.

Kolegjit ILIRIA nuk i është dorëzuar draft-raporti i plotë për të dhënë komentet adekuate, sipas Nenit 17, Pika 3 e UA 15/2018.

Kolegjit ILIRIA nuk i është dhënë afat i mjaftueshëm për të dhënë komente në draft-raport, sipas Nenit 15, Pika 5 e UA 15/2018.

Në ekipin e ekspertëve për vlerësim, krahas Anca Prisacariu kanë marrë pjesë edhe dy ekspertë për vlerësim të programeve si dhe një përfaqesuese e studentëve.

Perderisa dy ekspertë për programe kanë bërë vlerësim dhe kanë rekomanduar pozitivisht për akreditimin e programeve të studimit, është vetëm Anca Prisacariu që ka rekomanduar të mos akreditohet institucioni.

Ky vlerësim, pa koncenzus në mes ekipit të ekspertëve, është në kundërshtim me Nenin 17, pika 4 e UA 15/2018.

Vlerësimi pozitiv i programeve të studimit dhe njëkohesisht vlerësimi negativ për institucionin nga i njejti ekip dhe nga i njejti raport, është i paprecedent.

Është shqetësuese mundësia e ndikimit të anëtarëve të KSHC me konflikt interesi, në marrjen e vendimeve të jashtligjshme. Praktika e mosprezencës së anëtarëve të KSHC në procesin e marrjes së vendimeve për universitetin apo kolegjin ku aktualisht punojnë, nuk nënkupton që të njejtit nuk marrin pjesë dhe ndikojnë në vendimet kundër institucioneve tjera konkurente.

Në listën e ekspertëve të aprovuar nga KSHC, të cilat janë të publikuara në ëeb faqen e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, nga mbi 150 ekspertë të universiteteve të ndryshme europiane, përzgjidhet Anca Prisacariu e cila është e vetmja që nuk plotëson kriteret sipas UA 15/2018, ku shihet qartë se është e vetmja që nuk punon në universitet.

Anca Prisacariu ka bërë vlerësimin e katër nga shtatë institucionet që kanë marrë rekomandim negativ për akreditim (dy universitete publike dhe dy kolegje private). E njejta nuk ka bërë rekomandim pozitiv për asnjë institucion qe e ka pasur në vlerësim.

Anca Prisacariu, e cila jashtligjshëm është angazhuar nga KSHC, dyshohet se është përdorur si instrument për eliminimin nga konkurenca të disa universiteteve publike dhe kolegjeve private.

Për më tepër, e njejta duket se ka qenë për disa vite e angazhuar në projekte të ndryshme në Kosovë. Miqësia dhe afërsia e saj më disa anëtarë dhe ish-anëtarë të KSHC dhe AKA, shpërfaqë dyshimet tona për ndikime të mundshme në procesin e vlerësimit.

Vonesa në dorëzim të raportit nga ekspertët, dhe rrjedhimisht edhe vonesa në marrjen e vendimit nga KSHC, dyshojmë se janë bërë me qëllim që, pavarësisht epilogut, të konsumohet koha e regjistrimit të studentëve të rinj, e cila ka afat deri në Tetor 2019.

Çdo vonesë e rishqyrtimit të këtij vendimi të jashtligjshëm, dëmton rëndë konkurencën e lirë dhe të gjithë sistemin e arsimit të lartë në vend.

Pavarësia institucionale nuk nënkupton që KSHC është mbi ligjin.

Kërkojmë nga ju të ndihmoni arsimin e lartë në vend, duke mbrojtur ligjshmërinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një ceremoni të organizuar nga Organizata për Siguri dhe…