Komandanti i KFOR-it takohet me Albin Kurtin

03 shkurt 2024 | 19:01

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të shtunë të 3 shkurtit ka pritur në Kryeministri komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Temë e diskutimit – ashtu siç ka njoftuar KFOR në platformën X – ishin zhvillimet e fundit të sigurisë.

“Komandanti i KFOR-it theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efektiv në të gjitha institucionet e sigurisë, duke përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in”, shkruhet në njoftim.

Po ashtu, KFOR-i konfirmoi se është i gatshëm të veprojë për të përmbushur misionin e tij.

“Komandanti konfirmoi se KFOR-i po monitoron situatën nga afër dhe mbetet i gatshëm të veprojë në përputhje me mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”.

Ndërkaq, vetëm një ditë më parë misioni i NATO-s ka bërë të ditur për realizimin e një patrullimi sigurie përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.

“Toga italiane e inxhinierëve ORF kryen një patrullë sigurie standarde përgjatë Vijës Kufitare Administrative”, është thënë në komunikatë.

Krahas fotografive në të cilat pjesëtarët e KFOR-it, po patrullojnë në terren, nga KFOR-i është thënë se janë plotësisht të fokusuar për zbatimin e mandatit të tyre.

“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet më tej në njoftim.

Edhe më 8 janar, KFOR-i ka bërë të ditur se ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndimore kanë kryer patrullime operative përgjatë vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim monitorimin e territorit dhe sigurimin e një kornize adekuate të sigurisë.

E po ashtu edhe më 31 dhjetor, ushtarët italianë të KFOR-it kanë zhvilluar një stërvitje specifike që ka zgjatur katër orë në Liqenin e Ujmanit në Veri të vendit ku kanë stimuluar një ulje në një mjedis jo lejues.

Ndryshe, KFOR-i u vendos në Kosovë më 12 qershor 1999, pas një fushate ajrore 78-ditore. Kjo fushatë ajrore u nis nga Aleanca në mars 1999 për të ndalur dhe kthyer katastrofën humanitare që po shpalosej atëherë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa media perëndimore sugjerojnë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka…