Komandanti i KFOR-it takon ambasadorin e Ukrainës në Serbi

23 qershor 2022 | 15:58

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Ferenc Kajari, ka pritur të enjten në një takim ambasadorin e Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, në selinë e KFOR-it në Prishtinë.

Gjatë takimit është diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe përgjatë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Më tej, komandanti hungarez i misionit të KFOR-it ka falënderuar ambasadorin Tolkach për kontributin e vlefshëm të Ukrainës.

“Do doja të shprehja mirënjohjen time ndaj kontingjentit të Ukrainës dhe për profesionalizimin që ata kanë treguar dhe kontributin e përditshëm në garantimin e sigurisë dhe lëvizjes së lirë të të gjithë njerëzve në Kosovë, që nga viti 1999”, ka thënë ai.

Gjatë vizitës së tij, ambasadori Tolkach është takuar edhe me përfaqësues të kontingjentit të trupave ukrainase të vendosura në misionin e KFOR-it, përfshirë personelin që shërben në grupin e përbashkët të mbështetjes logjistike të KFOR-it, si pjesë e Detashmentit për Lirinë e Lëvizjes.

Në misionin e KFOR-it kanë shërbyer 40 ushtarë ukrainas. Por, ata presin të kthehen në Ukrainë së shpejti, për t’i dalë në ndihmë shtetit të tyre.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar një dekret në muajin mars, duke kërkuar nga të gjithë pjesëtarët profesionistë të ushtrisë, që janë në misione paqeruajtëse në botë, të kthehen në Ukrainë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka përdorur skenën e Samitit në…