Kombinimi i dy dozave të vaksinave nga prodhues të ndryshëm jep imunitet të mirë
Pulmologu Besim Morina ka bërë me dije se kombinimi i dy dozave të vaksinave nga prodhues të ndryshëm jep imunitet të mirë në mbrojtje nga Covidi.
Ai ka deklaruar se një studim në Angli ka treguar se kombinimi i dozave të vaksinës është krejt e sigurt dhe efikase.
Në profili e tij në “Facebook”, Morina ka shkruar se studimi në fjalë ka konstatuar që marrja e dozës së dytë “Pfizer” pas dozës së parë “AstraZeneca” ka dhënë imunitet më të mirë se sa marrja e të dy dozave “AstraZeneca”.
Postimi i plotë i pulmologut Morina:
Kombinimi i dy dozave të vaksinave nga prodhues të ndryshëm jep imunitet të mirë
Marrja e dy dozave të vaksinës është shumë e rëndësishme që të kemi mbrojtje të plotë kundër Covid-it. Mirëpo, a mund t’i kombinojmë ato nga prodhues të ndryshëm.
Një studim i kryer në Angli ka treguar që marrja e dy dozave të vaksinës nga prodhues të ndryshëm (AstraZeneca dhe Pfizer) jep mbrojtje të mirë ndaj Covid-it. Kjo tregon që është krejt e sigurt dhe efikase kombinimi i këtyre vaksinave.
Më tej, studimi ka treguar që marrja e dozës së dytë “Pfizer” pas dozës së parë “AstraZeneca” ka dhënë imunitet më të mirë se sa marrja e të dy dozave “AstraZeneca”.
Njëjtë, imunitet më të mirë se sa marrja e të dy dozave “AstraZeneca” jep edhe kombinimi doza e parë “Pfizer” dhe doza dytë “Astrazeneca”, edhe pse më pak se kombinimi i paraprak Pfizer/AZ. Pra, në të dy rastet e kombinimit të vaksinave kemi pasur nivel më të lartë të antitrupave dhe qelizave imune T.



