KOMF-i adreson kërkesat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

01 qershor 2021 | 10:54

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka mbajtur konferencë për medie përpara objektit të Qeverisë të Republikës së Kosovës, ku ka paraqitur faktet rreth situatës së fëmijëve në Kosovë.

Po ashtu, ky koalicion ka prezantuar edhe kërkesat në lidhje me të drejtat e familjeve si dhe ka bërë thirrje emergjente që kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria t’i adresojë ato.

“Viti 2020 konsiderohet viti më i rëndë në 20 vitet e fundit sa i përket mirëqenies sociale në Kosovë. Kjo për shkak të pandemisë Covid-19, e cila ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e fëmijëve në Kosovë, e sidomos atë të fëmijëve të cenueshëm. Periudha e zgjatur e izolimit dhe kushtet e rënda të jetesës kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve, rritjen e numrit të fëmijëve pa kujdes prindëror dhe përkeqësimin e gjendjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara. Kriza dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përgjithësi në përkeqësimin e shëndetit mendor të fëmijëve, prandaj mbështetja e tyre është e domosdoshme”, ka njoftuar KOMF-i.

Fakte rreth gjendjes së fëmijëve në Kosovë të prezantuara nga KOMF-i:

22.8 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri përderisa 7.2 për qind e tyre jetojnë në varfëri ekstreme.

72 për qind e fëmijëve raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik).

5 për qind e fëmijëve janë të përfshirë në punë.

Vetëm 15 për qind e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme.

PISA  ka radhitur Kosovën në vendin e 76, në mesin e 78 shteteve të cilat i janë nënshtruar vlerësimit, duke rezultuar me nivel të ulët të cilësisë në arsim.

Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, janë ndër më të ulëtat në rajon. 40 për qind të shpenzimeve për shërbime shëndetësore paguhen nga xhepi  i qytetarëve. Furnizimi me barna vazhdon të mos jetë i rregullt, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e fëmijëve.

Vetëm 38 për qind e fëmijëve që jetojnë në komunitete janë vaksinuar plotësisht.

Vetëm 1 për qind e buxhetit total të buxhetit qendror ndahet për shërbime sociale.

Ofruesit e shërbimeve sociale për mbrojtjen e fëmijëve në vazhdimësi rrezikojnë mbylljen e shërbimeve si pasojë e mungesës së financimit të qëndrueshëm.

8 për qind e fëmijëve të moshës 7-12 vjeç, janë raportuar të kenë vështirësi funksionale të paktën në një fushë dhe vetëm 10 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale.

Nga 43 000 fëmijë me aftësi të kufizuara, vetëm 5 300 vijojnë mësimin në shkolla publike të rregullta në Kosovë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak,…